Uragani “Sandy”, Panariti ngushëllon Clinton për viktimat
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton, pas situatës dramatike që përjetuan disa shtete të SHBA-së si pasojë e goditjes nga uragani Sandy. Sic bën të ditur njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme në telegram thuhet:“Me hidhërim të thellë mësova për humbjen e jetëve njerëzore nga uragani Sandy, i cili përshkoi territoret më të populluara të Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara.Më lejoni, Zonja Sekretare e Shtetit, t` Ju përcjell Juve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, ngushëllimet e mia me të sinqerta.Ndërsa bashkohem me familjet amerikane në hidhërimin e tyre, kam besim se populli dhe qeveria amerikane do të gjejnë kurajën dhe forcën e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë fatkeqësie” .Stuhia historike Sandy, më shkatërruesja në dekada që përplasej mbi Shtetet e Bashkuara, ka marrë 50 jetë njerëzish, miliona vetë kanë mbetur pa energji elektrike e transporti është i bllokuar në një pjesë të mirë të zonave veri-lindore.18 prej vdekjeve u regjistruan në qytetin e Nju Jorkut. Edhe pse e dobësuar, forca e Sandy-t nuk është fashitur krejtësisht: stuhia po vazhdon rrugën drejt veriut e pritet të sjellë sërish reshje të dendura shiu e përmbytje.