Clinton nesër në Tiranë, blindohet kryeqyteti nga masat e sigurisë
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Clinton viziton nesër Tiranën, nën masa të rrepta sigurie.Sipas një axhende ende të papublikuar zyrtarisht, Clinton mbërrin në aeroportin e Rinasit rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe rrugëtimi i saj drejt kryeqytetit do të shoqërohet nga qindra policë shqiptarë dhe agjentë sigurie amerikanë, që do të blindojnë jo vetëm rrugën por edhe pjesën më të madhe të Tiranës.Sipas burimeve pritet që autostrada Tiranë-Durrës, të bllokohet për disa minuta derisa Clinton të mbërrijë në kryeqytet.Ndërkohë të bllokuara gjatë ditës së nesërme do të jenë edhe një sërë aksesh rrugore në Tiranë, që të cojnë drejt institucioneve shtetërore ku Clinton do të zhvillojë takime.Sekretarja amerikane e shtetit pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Berisha në kryeministri, dhe më pas do të shkojë në presidencë ku do të pritet nga presidenti Bujar Nishani.Axhenda parasheh dhe një takim me kryesocialistin Rama që pritet të mbahet në ambjentet e Hotel Sheraton.Ndërkohë pritet që sekretarja amerikane e shtetit Clinton të mos flasë pas takimeve me krerët e shtetit, por do të japë mesazhet e SHBA për politikën shqiptare vetëm gjatë fjalimit të parashikuar dhe të konfirmuar që do të mbajë në kuvendin e Shqipërisë.Vizita e sekretares amerikane të shtetit vjen në mbyllje të mnadatit të saj katër vjecar në këtë detyrë, dhe në 100 vjetorin e shtet-formimit të Shqipërisë.