Nishani-KQZ-së: Zgjedhjet, të shqiptarëve, jo të politikës

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka kërkuar nga trupa e re e KQZ-së orientim vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, pavarësisht situatave që mund të krijohen gjatë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor.Gjatë një takimi të mbajtur në Presidencë me kryetaren e KQZ-së Lefteri Lleshi dhe anëtarët e institucionit të administrimit të zgjedhjeve, kreu i shtetit  nënvizoi se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë "domain" i asnjë force politike.Gjithashtu presidenti Nishani u ka kërkuar  anëtarëve të rinj të KQZ-së të përfaqësojnë me integritet punën e këtij institucioni dhe i siguroi për mbështetjen e tij në dhënien, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e procedurave burokratike në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme parlamentare.Kreu i Shtetit solli në vëmendje edhe ftesën për t'u kosultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme.Ai i informoi anëtarët e KQZ-së edhe për Kodin e ri të Etikës, i propozuar nga OSBE-ja, për sjelljen e partive politike gjatë fushatës së ardhshme elektorale dhe procesit zgjedhor.Presidenti Nishani u kërkoi anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të punojnë për ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit.Në emër të KQZ-së, Kryetarja Lefteri Lleshi e falenderoi Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit, dhe e siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.