Superliga përfundojnë ndeshjet e javës së 24-të, Kukësi shkatërron Flamurtarin 6-1

Kukësi shkatërron Flamurtarin me rezultatin tenistik 6-1.Nga Kategoria e Parë në Superiore brenda një viti, nga Superiorja në Kupat e Europës brenda një edicioni futbollistik. Edhe pse nuk e ka zyrtarizuar ende matematikisht vendin e dytë, dy javë nga fundi i garës, Kukësi e ka përmbushur tashmë "de facto" ëndrrën e madhe të një qyteti futbolldashës. Verilindorët e drejtuar nga një shkodran, Armando Cungu, i asistuar nga një emër i njohur i futbollit tonë, Sulejman Starova, kanë treguar javë pas jave se nuk janë më kot në këto pozita. Konfirmimin e kësaj e bënë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe në ballafaqimin direkt për Europën, njëlloj finaleje për këtë objektiv, ndaj Flamurtarit i cili u mund me rezultatin tenistik 6-1, duke i dhënë lamtumirën Europës edhe pse kanë mbetur dy javë nga mbyllja përfundimtare e sezonit. Një sezon i dështuar plotësisht, i hedhur në erë, pavarësisht investimeve të shumta të Shpëtim Gjikës.Kjo javë ka zbardhur edhe një enigmë tjetër, sa i përket skuadrës së katërt që bie një kategori më poshtë. Fjala është për Shkumbinin, që ka dalë i mundur nga transferta (pa tifozë) me Laçin, duke shuar çdolloj shprese për të mbetur mes më të mirëve të vendit. Bylisit i duhet edhe një pikë në javën e ardhshme për t'i superuar zyrtarisht bardhekaltrit e mbetur pjesë e Superiores, pa pasur nevojë të hyjë në llogari golaverazhi apo ndeshjesh direkte. Humbja e peqinasve dhe fitorja e kavajasve në Shkodër, përballë Vllaznisë, që është paraqitur 100 përqind me të rinjtë, ka siguruar përfundimisht Besën.Mallakastriotët e Shensojit e kanë më së shumti mendjen tek finalja e Kupës së Shqipërisë me kurbinasit, ndaj mesa duket nuk janë bërë pengesë për Teutën. Edhe pse e kanë mbyllur në epërsi pjesën e parë, me golin e Bakiut, kanë pranuar të ndëshkohen dy herë në 45 minutat e dyta nga Jakupi dhe Hodo të miqve, duke lejuar që durrsakët të vijojnë betejën e tyre për Europën deri në javën e fundit. Teuta e sheh veten një pikë më pak se kuksianët, por tashmë ka hequr qafe Flamurtarin, ashtu nuk e ndien më fare bezdisjen e Tiranës së Nevil Dedes. Bardheblutë janë shfaqur të pafuqishëm në transfertën fierake, duke mos shkuar më tej se barazimi i bardhë ndaj një skuadre të rënë ngë Superiorja, sikurse është Apolonia.Parë kështu, java e 24-t ka punuar për Kukësin dhe Teutën, sa i takon betejës për zonën europiane, ndërsa ka nxjerrë jashtë loje vlonjatët dhe bardheblutë. Ky stacion i garës ka plotësuar edhe katërshen e skuadrave që zbresin një kategori më poshtë: Tomori, Apolonia, Luftëtari dhe Shkumbini. Këta të fundit kanë shumë pak shanse për të mbijetuar, për të mos thënë aspak.

Ja dhe rezultatet e javës së 24-të.

KUKËSI - FLAMURTARI  6-1

Golat: Allmuça 8 (pen), 22, Hoxha 47, 60, Progni 51, Popoviç 75, Muzaka 76.

LUFTËTARI - TOMORI   2-2

Golat: Fonseka 32 (pen), Lluka 38, Muxhaj 7, Fonseka 10 (aut)

LAÇI - SHKUMBINI  1-0

Golat: Ndreka 62

BYLISI - TEUTA   1-2            

Golat: Bakiu 30, Jakupi 60, Hodo 67

APOLONIA - TIRANA  0-0

VLLAZNIA - BESA  0-1

Golat: Berisha 67

Të Premten

SKËNDERBEU - KASTRIOTI    2-0

Golat: Bici 38, S.Lilaj 58.