Idrizi: PDIU, parti kombëtare, jo komunitare

Partia, Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbledhur sot Këshillin e saj Kombëtar. Në fjalën e tij, Shpëtim Idrizi theksoi se PDIU nuk është një parti komunitare, por një parti kombëtare.Kjo sipas tij, pasi çështja çame është një çështje e të gjithë shqiptarëve, dhe sot PDIU ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve."PDIU u themelua atëherë kur partitë kombëtare ishin demode, larg nacionalizmave bajate dhe plot vendosmëri në mbrojtje të vlerave tona, pasi PDIU është dhe do të mbetet në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve” tha Idrizi.Idrizi është shprehur më tej se PDIU-ja ka qënë dhe mbetet pro bashkimit të shqiptarëve në Europë por përpara se të ndodh kjo sipas tij duhet të ngrihen kapacitetet integruese mes Shqipërisë dhe Kosovës.“Ne do të jemi në mbrojte të interesave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen. Kemi qënë dhe jemi për një bashkim kombëtar, një bashkim europianist si një komb me kulturë dhe tradita të përbashkëta. Para se shqiptarët të kërkojnë një bashkëpunim europianist, mes Kosovës dhe Shqipërisë do duhet të ngrihen kapacitete integruese midis nesh në gjuhë, kulturë dhe bashkëpunim ekonomik” shtoi ai.Kreu i PDIU-së i është përgjigjur edhe kritikave se kjo forcë politike hoqi dorë nga miratimi i rezolutës në Parlament për zgjidhjen e çështjes çame."Nëse ne do të kërkonim një rezolutë të re kjo do të përçante palët dhe do të rrezikonte vetë rezolutën. Ne nuk e bëmë lehtë betejën për rezolutën por e nxorrëm atë të paprekur. Ne nuk e kemi tërhequr rezolutën tonë nga komisioni i jashtëm aty e kanë ta miratojnë. Le ta miratojnë edhe rezolutën e re dhe të heqim edhe ligjin e luftës” është shprehur Idrizi ndërsa shtoi se rezoluta do të shndërrohet në një monument të gjallë.Idrizi i është përgjigjur edhe pyetjes se çfarë pashaporte do të mbajë komuniteti çam duke thënë: “Ne do përdorim pashaportën shqiptare dhe do të përdorim dyshtetësinë ashtu siç Greqia ka bërë me komunitetin grek në Shqipëri”.Kreu i PDIU-së nuk ka lënë pa sulmuar edhe koalicionin e majtë që sipas tij po tenton të përçajë çamët.“Nuk do të mund dot gjinot dhe idhtarët e politikës të denigrojnë çështjen çame.  Kreu i opozitës që flet për rilindje merret me politikat personale . A i duhet rilindjes gjuha e sulmeve ndaj deputetëve dhe miqve tanë? Mua më duket jo pasi kjo është politikë e vjetër. Ata nuk i përçajnë dot çamët në të majtë dhe në të djathtë. I ftoj liderët politik të bëjnë një fushatë me programe dhe jo me sulme personale dhe denigrime personale. Ne do të punojmë së bashku edhe në 24 qershori dikush në pozitë dhe disa të tjerë në opozitë” shtoi Idrizi.