Meta: Berisha s’duroi dot, ra viktimë e pasionit për pushtet
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka kërkuar mbështetjen e emigrantëve në zgjedhjet e 23 qershorit duke theksuar se “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të bëjë të mundur edhe hapjen e një prespektive të re për vendin.Në një takim me emigrantët në Athinë, Meta sqaroi edhe arsyet e koalicionit të LSI-së me Partinë Socialiste ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar edhe ish-aleatin e tij Sali Berisha."Nuk ishin të pakët atë që u habitën për shkak të vendimit të LSI-së për të konfirmuar përfundimin e bashkëqeverisjes me PD-në dhe për të vendosur një koalicion parazgjedhor me PS-në dhe me opozitën në tërësi. Një nga arsyet pse jo pak u habitën është sepse sërish LSI solli një risi, sepse ne u ndamë si xhentëllmen me PD-në pa rënë viktimë e përvojave jo qytetare ku ndarjet bëheshin me dhunë, sherre dhe me akuza aspak qytetare dhe denigruese. Sepse LSI synon të sjellë një kulturë politike të standarteve europiane në komunikimin dhe bashkëpunimin e saj dhe sepse politika jonë duhet të mësohet me kulturën e kompromisit dhe të respektojë marrëveshjet. Megjithatë edhe zoti Berisha u paraqit si xhentëllmen por nuk duroi dot pas disa ditësh dhe ra viktimë e pasionit të tij për pushtetin e pakufizuar, gjë që nuk është pozitive për çdo politikan aq më tepër për një polikan me përvojë si ai. Por ku nuk është shqetësimi ynë pasi 23 qershori do flas më mirë se kushdo me zërin tuaj për të nisur një prespektivë të re, të një historie të re e cila nuk i ndan më në mënyrë përjashtuese dhe armiqësore shqiptarët në mazhorancë apo në opozitë" theksoi Meta.Ai ka theksuar më tej se LSI dhe ‘Aleanca për Shqipërinë europiane’ synojnë jo arritjen e mazhorancës por synojnë ti japin fund ngërçit tradicional që e ka zgjatur edhe trazicionin e vendit."Ne synojmë t`i japim fund edhe raportit tepër të gabuar mes mazhorancës dhe opozitës që ka qënë një raport armiqësor që ka dëmtuar rëndë arritjen e konsensusit për të realizuar të gjitha reformat që ka kërkuar integrimi sepse këto reforma kërkojnë bashkëpunimin e të dyja palëve dhe kanë si qëllim realizimin e integrimit që është aspiratë kombëtare” shtoi Meta.Votimi i emigrantëve në vendet ku jetojnë, Meta: Shaka e Berishës që nuk e ha njeriGjithashtu kreu i LSI-së e cilësoi deklaratën e kryeministrit Berisha që emigrantët të votojnë në vendet ku jetojnë si një shaka të tij që nuk e ha më njeri.“Pak ditë më parë ju mund të keni dëgjuar një iniciativë të Berishës, i cili pasi shkatërroi pavarësinë e KQZ, tha le të votojnë emigrantët atje ku janë. Ndërkohë që një vit më parë nuk e dha konsensusin në realizimin e Kodit për të njohur të drejtën e emigrantëve kudo ku jetojnë. Shaka të tilla nuk i ha më njeri” tha Meta.Ai ftoi të gjithë emigrantët që më 23 qershor të vijnë e të votojnë në Shqipëri, duke u premtuar se kjo do të jetë hera e fundit që ata do të marrin rrugën e të votojnë në vendin e tyre.Meta shprehu bindje se në zgjedhjet e tjera do të realizohet që emigrantët të votojnë atje ku ata jetojnë.