Halimi: Në Maj nis reforma e burgjeve private, ja avantazhet

Ministri i drejtësisë Eduard Halimi ka paralajmëruar nisjen e një reforme të re në drejtësi gjatë muajit Maj, atë të burgjeve private.Në një postim në rrjetin social Facebook, Halimi theksoi se paralel me reformën e burgjeve private do të ashpërsohen edhe sanksionet për kriminelët.“Kemi vendosur që Paketën Penale kundër krimit të lancuar disa javë më parë ta plotësojmë me një reformë po aq të rëndësishme; Përgjatë muajit maj do të jemi të angazhuar në Reformën e Burgjeve Private. E treguam qartë qëndrimin tonë për të të dënuar kriminelët duke ashpërsuar maksimalisht dënimet për ta, por në të njëjtën kohë duhet  tëinvestohemi për rehabilitimin e tyre. Paketa Penale dhe Reforma e Burgjeve bashkëlidhen për të luftuar me vendosmëri kriminalitetin” thekson Halimi.Ai ka theksuar më tej se në bazë të partneritetit publik dhe privat, do të ndërtohen burgje të reja për të denuarit deri në 5 vjet, me rrezikshmëri të ulët.“Këto burgje do të menaxhohen nga privatët duke ndjekur një model të ndërthurur anglez dhe amerikan. Jemi të parët në rajon që ndërmarrim këtë reformë historike për nga suksesi dhe ndikimi pozitiv” shtoi Halimi.Sipas tij, burgjet private kanë avantazh të dyfishtë pasi ulin kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes për shtetin duke rritur cilësinë e shërbimit në institucion dhe garantojnë rehabilitimin.“Në këto burgje vendosen më lehtë programe të punës për të burgosurit duke ju dhënë atyre mundësinë të kualifikohen dhe të punojnë. Nuk do dalin më me duar në xhepa, vulnerabël për të kyer të tjera krime të tjera. Pra,e dyfishtë është dhe për të burgosurit kjo reformë: Ata mund të mësojnë një zanat dhe përfitojnë një sasi të ardhurash. Avantazhe do ketë edhe për bisnesin: Bizneset do të sigurojnë një punë të paguar më lirë dhe do të bëhen partner të rehabilitimit në interes publik. Për shtetin, puna në burgjet private lehtëson rehabilitimin, ul kostot dhe më e rëndësishmia kursen paratë e taksapaguesve. Paralelisht do të krijohet sistemi dixhital për burgjet për të garantuar monitorimin e tyre dhe evidentuar rastet e recidivisteve” shtoi Halimi.Ministri i drejtësisë thekson gjithashtu se me reformën në burgjet private do njoh zhvillime dhe politika e dënimeve alternative pasi sipas tij  do tu mundësohet të burgosurve më pak të rrezikshëm të dalin dhe të punojnë jashtë burgut, duke i krijuar mundësitë e kualifikimit dhe të të ardhurave."Falë partneriteti publik me privat, përgjate 4 viteve të ardhshme do të ndërtohen jo më pak se 4 burgje private. Këto burgje të ndërtuara do të mjaftojnë për të transferuar së paku 3 000 të dënuar që vuajnë dënimin jashtë Shqipërisë, duke i kursyer familjarëve të tyre shpenzimet e mëdha të harxhuara rrugëve për ti takuar. Të gjithë janë përfitues të kësaj reforme, qytetarët të parë, të bugosurit, familjarët, bizneset, shteti. Kjo reformë do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë të gjithë politikën në lidhje me burgjet në Shqipëri. Do vazhdojmë të shkruajmë sëbashku një tjetër histori të plotë suksesi!” ka përfunduar Halimi.