Milo “rezerva” për paktin me PS: Nuk ishte më e mira, por duhej

Nuk është marrëveshja më e mirë që Partia Demokracia Sociale ka nënshkruar me Partinë Socialiste, por është marrëveshja e cila duhej firmosur për zgjedhjet e 23 qershorit.Duke folur në komitetin drejtues te Partise Demokracia Sociale, kryetari Paskal Milo tha se në sajë të kësaj marrëveshje është mundësuar që PDS të ndjekë nga afër procesin e administrimit zgjedhor, ndërsa në sajë të numrit të votave do të jetë pjesë e qeverisjes socialiste pas 23 qershorit.Milo tha më tej se koalicioni opozitar ka të gjitha shanset të fitoj më 23 qershor, por kjo fitore nuk është e lehtë. Për këtë arsye ai kërkoi një kordinim më të mirë të koalicionit, në kushtet sipas tij, kur kundërshtarët do bëjnë çdo gjë për të qendruar në pushtet."Dhunimi i KQZ-së dhe ngërci në të cilin ai është futur, rrezikon shkatërrimin e procesit zgjedhorë dhe deligjitimimin e zgjedhjeve. Sali Berisha kërkon një alibi për humbjen e sigurt që e pret. Po gatuan krizën që do ta sillte si një justifikim neser. Është mjeshtri i manipulimit dhe nëse do të kishte çmime gines në këtë fushë, ai do të ishte i pari. Është shumë e rëndësishme që opozita të mosushqejë iluzione për një fitore të lehtë, se mjafton që erdhi LSI atje ku e ka patur vendin me kohë, dhe suksesi është i garantuar. Nevojitet front i bashkuar në formë e në përmbajtje. Gjithsecili ka se çfarë të ofrojë, askush nuk është i tepërt", deklaroi Milo.Në takimin me strukturat drejtuese të komitetit të PDS-së janë vendosur piketat për fushatën zgjedhore në bazë, ndërsa u shpalos slogani i PSD-së, “Të fitojmë të ardhmen”.