Nikoliç: Serbia nuk heq dorë nga Kosova
Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç ka deklaruar se Serbia nuk heq dorë nga Kosova.“Kushtetuta nuk na lejon dhe ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të lejojmë që ajo të bëhet shtet i njohur ndërkombëtar, anëtare e OKB-së. Sipas Marrëveshjes së Lisbonës, Kosova kurrë nuk mund të bëhet anëtare e BE-së dhe Kosova duhet të bisedojë sërish me ne”, është shprehur Nikoliç.Presidenti serb ka thënë se shteti i tij e ka për detyrë të ndërhyjë nëse dikush rrezikon serbët në veri të Kosovës."Prishtina, falë asaj që ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, nuk dëshiron që të njohë komunitetin serb brenda asaj autonomie të Kosovës. Siç kërkojnë shqiptarët diçka për vete, kështu kërkojnë edhe serbët. Ata na kanë akuzuar (komuniteti ndërkombëtar) se ne po krijojmë një Republika Srpska. Prandaj ne i kemi pyetur a është shpikje serbe Republika Srpska? Kjo është shpikje juaja. Ju atje në Dejton jeni përcaktuar se kjo është zgjidhja më e mirë kur njerëzit nuk mund të merren vesh lehtë, të bëni entitete. Por ne nuk kërkojmë RS në territorin e Kosovës, sepse atëherë kjo do të ishte se ne pranojmë se Kosova është shtet”, ka thënë Nikoliç.