Hoxhaj: Deklaratat e Mërkicit për konsum të brendshëm

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj i është kundërpërgjigjur deklaratave të shefit të diplomacisë serbe, Ivan Mërkic, i cili ka thënë se Kosova në organizatat rajonale do të përfaqësohet vetëm me fusnotë. Në një prononcim për Telegraf, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj theksoi se deklaratat e Mërkicit nuk janë asgjë tjetër vetëm sa për ta manipuluar opinionin publik në Serbi, pasi sipas tij, me faktin konkret, legal dhe politik që Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës.Hoxhaj vlerësoi se përtej rajonit, Republika e Kosovës është anëtarësuar në shumë organizata pa fusnotë, dhe sipas tij shembulli i fundit është anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).“Ne aty jemi anëtarësuar me emër kushtetues si Republika e Kosovës në kohën kur Ivan Mërkic ka qenë ministër i Punëve të Jashtme. Anëtarësimet e Kosovës në Evropë dhe në organizata ndërkombëtare nuk ka kush t` ndaloj e pakta mund t’i bllokojë Serbia”, tha ai.Hoxhaj tha se prej 47 anëtarëve që ka Këshilli i Evropës, 34 shtete janë që e kanë njohur Republikën e Kosovës.“Nëse Kosova nesër aplikon i ka votat e shteteve sepse aty ndodh votimi ose anëtarësimi ndodh në bazë të votës absolute dhe jo referencave që i japin të tjerët. Ne i kemi votat për të hyrë në Këshillin e Evropës”, tha ai.Sipas tij, arsyeja pse ne nuk kanë aplikuar deri më tani është se anëtarësimi në KE është proces, dhe sipas tij nëse aplikojnë më 2013 nuk do të thotë që kjo do të ndodhë këtë vit.Ministri Hoxhaj theksoi se edhe Serbisë i janë dashur dy vite të anëtarësohet, Maqedonisë tre vite, Bosnjës dhe Hercegovinës edhe më shumë, prandaj tha se anëtarësimi është një proces dhe për këtë do të vendosin në një kohë më të përshtatshme, pasi sipas tij, ky është një vendim strategjik.