Ziadin Sela fiton zgjedhjet në Strugë

Zijadin Sela fitoi garën zgjedhore në Strugë pas rivotimit të djeshëm në nëntë qendra ku Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Administrative kishin konstatuar të ketë pasur parregullsi në balotazhin e shtatë prillit.Sela, nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare, por i mbështetur nga të gjithë votuesit shqiptarë të Strugës mori mbi gjashtë mijë vota më tepër se kundërshtari i tij Vlladimir Koçoski i partisë VMRO-DPMNE, i cili kishte mbështetjen edhe të opozitës maqedonase.Partia Demokratike Shqiptare ka festuar mbrëmë në sheshin e Strugës dhe sidomos në fshatin Podgorcë, ku shqiptarët ndjehen të diskriminuar. Procesi i votimit në Strugë ka kaluar, megjithatë, më mjaft sfida për votuesit shqiptarë për shkak të, sipas ankesave të këtyre të fundit, pranisë së shtuar të policisë nëpër qendrat e votimit.Struga me mbi gjashtëdhjetë mijë banorë është drejtuar nga shqitarët në dy mandatet e fundit, përkatësisht që prej krijimit të kufijve të saj administrativë, që ka ngritur numrin e banorëve shqiptarë në 57 përqind.Partia Demokratike Shqiptare në këto zgjedhje vendore ka fituar vetëm dy komuna, këtë të Strugës dhe Studenianin, afër Shkupit.Ndërkohë, kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim humbi garën në komunën rurale të Dollnenit, në jugperëndim të Maqedonisë. Atje fitoi kandatti i VMRO-DPMNE-së me 300 vota me shumë.Në komunën Qendër të Shkupit fitoi Andrej Zhernovski i opozitës maqedonase.