Moore: Marrëveshja fuqizon pavarësinë e Kosovës
Drejtori i Zyrës për Evropën Lindore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore tha se marrëveshja e arritur në Bruksel fuqizon pavarësinë e Kosovës.Ai theksoi se tani i mbetet qeverisë në Prishtinë dhe misioneve ndërkombëtare që ta zbatojnë këtë marrëveshje në terren, duke theksuar se serbët në veri mund të shprehin pakënaqësi, por se marrëveshja duhet të zbatohet.Moore tha se është bërë shumë punë për t’i sjell Kosovën dhe Serbinë në këtë pozitë të rëndësishme.“Punë e madhe është bërë nga Bashkimi Evropian nën udhëheqjen e baroneshës Ashton, kontribut i madh është dhënë nga udhëheqësit politikë dhe figurat kyçe nga Kosova dhe Serbia. Kryeministri Thaçi ka bërë një punë të shquar dhe ai ka qenë i përkrahur edhe nga parti të tjera politike në këtë proces. Në anën serbe, kryeministri Dacic, sigurisht duke punuar bashkë me zv.kryeministrin Vucic, ka arritur shumë. Pas nëntë raundeve të dialogut, jemi në një pikë pozitive, por natyrisht, shumë më shumë punë duhet bërë për ta zbatuar këtë marrëveshje”, tha Moore.Ai tha se SHBA-ja ka pasur një rol për ta ndihmuar procesin derisa është zhvilluar.“ Përqendrimi ka qenë në avancimin e perspektivave për në BE të Kosovës dhe Serbisë, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një cak kyç për Shtetet e Bashkuara dhe ne dëshirojmë të shohim të dyja shtetet duke rrugëtuar nëpër shtegun e BE-së. Ky proces e lehtëson këtë dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ne në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.Në pyetjen se a do të rrezikojë Kushtetutën e shtetit të Kosovës e dhëna se serbët në Kosovë tani do ta kenë komandantin rajonal të policisë në veri si dhe degë të Gjykatës së Apelit, Moore tha se “Kjo është një mënyrë tërësisht e përshtatshme për të arritur qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve, të pasjes së institucioneve në veri që funksionojnë në mënyrë të duhur. Ky është një hap përpara. Do të duhet bërë më shumë hapa. Jemi mjaft të bindur se kjo marrëveshje do të jetë e suksesshme”.Diplomati amerikan mendon se Kosova nuk ka shkuar përtej Kushtetutës së saj. Sipas tij, kjo është mjaft në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës si dhe me nevojat dhe dëshirat e çdonjërit në Kosovë për të qenë në një shtet të begatë dhe të suksesshëm që e shfaq sovranitetin dhe pavarësinë e tij. Dhe kjo respekton të gjitha këto parime.Moore tha se ajo që është shumë e rëndësishme dhe çfarë është dërguar si mesazh i fuqishëm – jo vetëm duke iu falënderuar zyrtarëve në Kosovë por edhe Cethrine Ashtonit dhe kolegëve të saj në Bruksel – është besimi i madh në popullin dhe Qeverinë e Kosovës që kanë dhënë kontribute aq të rëndësishme në këtë dialog.“Në nëntë sesione të ndryshme kanë vendosur ide të ndryshme në tavolinë, u janë përgjigjur profesionalisht pyetjeve dhe çështjeve që janë vënë në tavolinë nga Beogradi. Kjo u ka lënë përshtypje njerëzve në tërë Evropën. Ka të tillë që kanë thënë – mendoj në mënyrë shumë të pasaktë – se Evropa nuk e përkrahë Kosovën. Sigurisht, ne ndonjëherë dëgjojmë thashetheme se vetëm SHBA-ja përkrah Kosovën. Më duhet t’ju them se kjo nuk është e vërtetë, ne nuk e shohim këtë fare. Brukseli vërtet e respekton Kosovën, të ardhmen e saj dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së. Kjo është një deklaratë shumë kuptimplote e Kosovës për shkak të mënyrës si janë zhvilluar diskutimet. Ju mund të vazhdoni ta ndërtoni këtë më tutje”, tha Moore.