Serbët e veriut mbledhin firma për referendum

Pas marrëveshjes së firmosur në Bruksel, Serbët e veriut të Kosovës do të nisin të mbledhin firma për referendum ku qytetarët do të deklarohen "nëse janë për ruajtjen e Kosovës në Serbi apo pranimin e kushteve të imponuara," ndërsa paralajmëruan se të Hënën do të dalin në protesta.Për ta oferta e Brukselit është e papranueshme dhe nuk do të marrin pjesë në zbatimin e zgjidhjeve të tilla. "Askush nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshjen antikushtetuese për të hequr një pjesë të territorit të vet", shprehen 90 anëtarët e katër kuvendeve komunale në veri të Kosovës, që u mblodhën në Zveçan, duke ritheksuar se "nuk i pranojnë institucionet e Kosovës".  Zëvendës drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Krstimir Pantiç, ka thënë se askush nuk ka të drejtë t'i bindë serbët në veri të Kosovës se do të jetojnë më mirë sepse komandantët e stacionit të policisë në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposavic do të jenë serbë."Askush nuk ka të drejtë të na thotë se do të kemi Gjykatën e Apelit në Mitrovicë, në të cilën serbët do të jenë shumicë, e askush nuk thotë se jemi të dënuar që në letra do të figurojë vula e Republikës së Kosovës... I them Daçiçit që marrëveshjen e Brukselit ta marrë në dorë dhe me Hashim Thaçin le të shëtisin nëpër Kosovë për ta implementuar", tha Pantiç.Ndërkohë ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se qytetarët serbë në veri janë duke pritur që zyrtarët e lartë të Qeverisë së Serbisë të vijnë dhe t'ua shpjegojnë se cilat janë efektet e marrëveshjes në Bruksel dhe si do të implementohet ajo.Ivanoviç ka komentuar edhe kundërshtimin që e kanë shprehur disa prej drejtuesve të banorëve serbë të veriut, përfshirë këtu edhe Milan Ivanoviçin, kryetar i Këshillit Nacional Serb."Duhet ta lexojmë marrëveshjen, por është e qartë se qytetarët serbë të Kosovës e pranojmë Qeverinë e Serbisë. Prandaj, kundërshtarët nuk është mirë që të pranojnë vetëm kur atyre u intereson", ka thënë Ivanoviç.