Ngërçi në KQZ, Meta: Mazhoranca të reflektojë, rrezikohen zgjedhjet

Në kushtet e një tensioni të tejskajshëm politik mes kampit të majtë dhe të djathtë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ish parner në qeverisje me PD, ka akuzuar këtë të fundit se ka futur në kolaps KQZ-në. Duke folur pas takimit me diplomatin e SHBA, Jonathan Moore, Meta vlerësoi se situata e krijuar është një rrezik serioz për një proces të drejtë zgjedhor.“Kjo është situata më e pamerituar politikisht që po kalon vendi, aq më tepër në prag të një evenimenti kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, sikurse është ai që ka të bëjë me realizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat prej kohësh janë cilësuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët tanë, si kruciale për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe natyrisht që minimi përfundimtar nga pseudomazhoranca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si institucioni i pavarur që ka përgjegjësinë për administrimin e këtij procesi, ka krijuar një situatë tepër të rëndë dhe dramatike, e cila tregon qartë se qeveria aktuale nuk ka as vullnetin më minimal për të kontribuar për zgjedhje të ndershme e të lira, për të respektuar pavarësinë e institucioneve dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj në këtë proces kaq madhor për vendin. Nuk mendoj se është dorëheqja e anëtarëve të KQZ-së ajo që e ka futur në ngërç institucionin. Ajo që e ka asgjësuar institucionin si i tillë siç është vetë në Kushtetutë dhe në kod si institucion i pavarur është ndërhyrja e dhunshme e pseudomazhorancës në kundërshtim me Kushtetutën, me kodin, me procedurat parlamentare dhe në kundërshtim me të gjitha vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për të pasur një proces konsensual dhe konstruktiv, në mënyrë që të respektohet pavarësia e institucionit të KQZ-së por edhe të dresoheshin shqetësimet të cilat kishin të bënin me balancimin e administrimit të zgjedhjeve në nivelet më të ulëta” tha ai.Përkundër kësaj ai ftoi mazhorancën për reflektim, në të kundërt sipas tij, ajo do të duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat.“Nuk mund të flas në emër partnerëve të nderuar. Ata kur e çmojnë mund të flasin vetë. Kjo është situatë tepër shqetësuese. Kemi një shantazh të qartë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj opozitës për të vënë dorë mbi zgjedhjet duke vënë dorë mbi qeverinë e pavarur të zgjedhjeve. Kemi edhe shumë simptomave të tjera shqetësuese dhe kritike. Pseudomazhoranca duhet të reflektojë urgjentisht përndryshe do të mbajë të gjitha pasojat dhe të gjitha për përgjegjësitë për çdo problem dhe përshkallëzim të tensionit në vend. Vendi ka nevojë për procese konstruktive, transparente, kushtetuese, të ligjshme. Nuk ka nevojë për dhunë si ajo që u ushtrua me kartona në Parlament dhe është momenti për të reflektuar përpara se të jetë vonë"-  theksoi Meta.Drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në Departamentin Amerikan të Shtetit Jonathan Moore së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco kanë mbërritur sot në Tiranë. Më herët diplomati amerikan Moore i shoqëruar edhe nga ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu eshte takuar me kryesocialistin Edi Rama dhe Ministrin e Jashtëm Aldo Bumci,  ndërkohë që gjatë ditës së nesërme do të takohet me kryeministrin Sali Berisha.