Deklarata e ministrisë greke, reagon KPR-ja

Klubi i Patriotëve të Rinj reagon ndaj deklaratave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.Në një deklaratë për mediat, thuhet se  mesazhi i palës greke se dy vendet po çelin rrugë të reja bashkëpunimi në bazë të respektit të dyanshëm u hodh poshtë, jo nga KPR, por nga grupet neonaziste greke që provokuan në territorin e Shqipërisë.“Festat kombëtare të çdo kombi festohen brenda territoreve të kombit përkatës dhe jo në territore të një kombi tjetër, siç guxon të bëjë edhe zyrtarisht shteti grek. Çështjet fantazmë si "vorioepiri" do të gjejnë gjithnjë reagimin tonë, shumë herë më të ashpër, sesa i tanishmi. Respekti i dyanshëm për në mënyrë provokuese flet ministria greke nuk do të thotë heshtje shqiptare ndaj provokimeve neonaziste greke; kahkundërt do të thotë ndalimin e çfarëdolloj provokimi brenda territorit të Shqipërisë dhe respektim të të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë” thuhet në deklaratë.Gjithashtu Klubi i Patriotëve të Rinj, në kuadër të respektimit të dyanshëm, kërkon me forcë që:1. Neonazistët grek, që qëndronin pardje krah më krah me përfaqësuesit e shtetit grek, të mos lejohen në asnjëlloj rrethane brenda territorit shqiptar.2. Të ndërtohen varrezat e shqiptarëve të pafajshëm të vrarë nga genocidi grek në Çamëri, ashtu sikurse janë ndërtuar varrezat e ushtarëve të ushtrive pushtuese greke në Bularat.3. Të marrë fund tallja që bëhet me eshtrat e fshatarëve të ndjerë shqiptarë të Kosinës, të cilat ndodhen në kuti në Manastirin shqiptar të Shën Nikollës në Këlcyrë, si ushtarë grekë4. Të ndalohen aktivitetet nacionaliste, të sponsorizuara nga shteti grek në territorin e Shqipërisë. Kushdo që dëshiron të kryej homazh për paraardhësin e tij nuk mund ta bëjë këtë me sponsorizim politik.5. Shteti grek, nëpërmjet protezheve të tij në territorin e Shqipërisë, të mos tentojë të fyejë rininë shqiptare. Asnjë lloj duleje nuk guxon të fyejë të ardhmen e këtij vendi, shpresën e Shqipërisë Evropiane.6. Të lejojë shqiptarët e Çamërisë të shkojnë dhe të luten për paraardhësit e tyre të ndjerë nga Preveza në Filat.7. Të kërkojë ndjesë për genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe vrasjet e kryera nga ushtria greke në Luftën e Dytë Botërore si në Çamëri, ashtu edhe në Shqipërinë e Jugut, si baza e vetme e respektit të dyanshëm, që nuk mund të ekzistojë pa zgjidhjen e çështjes çame.“Arroganca shtetërore greke nuk na prek dhe kushdo që tenton të ul dinjitetin e shqiptarëve do të na gjej në ballë, pa ekuivok dhe më ashpër sesa disa vezë të drejtuara ndaj Dule-protezheve të Athinës në Shqipëri” përfundon deklarata.