Nishani-Rongming: Bashkëpunim ekonomik Shqipëri-Kinë
Ndërsa marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Kinës janë vlerësuar si shumë të mira,Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe delegacioni i Konferencës Konsultative Politike të Republikës Popullore të Kinës, kanë ndarë mendimin se këto marrëdhënie duhet të intensifikohen më tej në të gjitha fushat.Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është e interesuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e më gjerë me Kinën, duke e siguruar zyrtaren e lartë kineze se biznesi kinez do të gjejë në Shqipëri fusha interesante dhe një klimë mikpritëse për të investuar në infrastrukturë, turizëm, energji, etj.Nga ana e saj, Zëvendëskryetarja e Komitetit Kombëtar Konferencës Konsultative Politike të Republikës Popullore të Kinës, zj. Zhang Rongming shprehu bindjen se kjo vizitë do t'i shërbejë jo vetëm nxitjes së dialogut politik, por edhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve me interes të ndërsjellë në të gjitha fushat. Delegacioni kinez ndodhet në vendin tonë në një vizitë zyrtare me ftesë të Kryetares së Kuvendit, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.