Enver Hoxhaj intervistë për shtypin Grek
Mardhëniet midis Kosovës dhe Greqisë, qëndrimi afirmativ i Athinës për Kosovën dhe thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit, deri te njohja e Kosovës nga Greqia janë ndër pikat që shrehu Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një editorial të botuar në revistën greke "Defence and Diplomacy".Kreu i Diplomacisë së Kosovës ka vlerësuar vizitën në fillim të Marsit në Athinë, duke e cilësuar atë si një ditë të rëndësishme dhe një kapitull të ri për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.Hoxhaj ka theksuar rezultatet e takimit me homologun grek Dimitris Avramopulos, ku siç thotë Hoxhaj, "u pajtuam që të ndërtojmë urat tona të qëndrueshme ndërmjet dy shoqërive, të cilat si asnjëherë më parë tashmë kanë krijuar një bazë të fortë në sferën e ekonomisë dhe tregtisë, arsimit, kulturës dhe turizmit". Hoxhaj ka vlerësuar edhe rëndësinë e mbështetjes së Greqisë në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, "duke mos u bërë pengesë edhe përkundër mungesës së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve".Hoxhaj po ashtu ka theksuar se ka marrë premtimin se Greqia, gjatë kryesimit të Presidencës së BE-së në 2014, do t'i kushtojë vëmendje prioritare Kosovës. Lidhur me njohjen e Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se Greqia e njeh realitetin e Kosovës së pavarur, si fakt të pakthyeshëm në gjeografinë botërore. "Megjithatë, mungesa e njohjes formale të Kosovës nga Greqia ka ngritur barriera ndërmjet dy popujve tanë, tejkalimi i të cilave është përgjegjësi e dy elitave politike dhe shoqërore", shkruan Hoxhaj, duke shtuar se njohja formale e Greqisë, do të përbënte një moment kthese dhe mundësi unike për të rikthyer unitetin brenda politikës së jashtme të BE-së.