Reeker-Beogradit: Pranojeni propozimin e Brukselit

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të pranojë propozimin e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe që ta vazhdojnë dialogun me Prishtinën, në mënyrë që Beogradi të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE."I bëjmë thirrje Serbisë për të përfituar nga kjo mundësi, sepse ne duam të shohim që Serbia po i plotëson kushtet për fillimin e negociatave", tha Reeker gjatë vizitës së tij në Zagreb.Ai përsëriti pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i djeshëm për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në një polemikë "çekuilibruar" dhe "nxitëse"."Debati ishte një mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm punën e Gjykatës të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të Bashkuara.Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin parasysh përpjekjet për të sulmuar Gjykatën e Hagës.