Rriten kreditë e këqia, bankat shtrëngojnë dhënien e kredive
Gjatë muajve të parë të këtij viti niveli i kredive të këqia është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në nivelin e 23.6%. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave përgjatë muajit shkurt kreditë me probleme janë rritur me 0.4% ndërkohë që në janar totali i tyre ka qenë 23.2 %.Rritja e nivelit të kredive të këqia është një sinjal se ekonomia e vendit tonë po kalon një ngërç pasi bizneset nuk kanë mundësi që të shlyejnë huatë e marra. Ndërkohë që nga ana tjetër bankat gjithmonë e më shumë po shtrëngojnë dhënien e kredive duke krijuar mungesë likuiditeti në vend.Banka e Shqipërisë përgjatë vitit që lamë pas ka ulur disa herë normë e interesit për të nxitur kredidhënien por një gjë e tillë nuk është reflektuar plotësisht në dhënien e kredive.Aktualisht norma e interesit është 3.75 % e cila vlerësohet si norma më e ulët historike. Shumë biznese deklarojnë se një prej shkaqeve që ata nuk arrijnë të shlyejnë kreditë e marra vjen edhe si pasojë e mos shlyerjes së borxheve nga qeveria.Shumë institucione ndërkomëtare e kanë ngritur shpesh si problem nivelin e kredive të këqia dhe kanë kërkuar marrjen e masave prej institucioneve shqiptare. Pikërisht për këtë Banka e Shqipërisë ka përgatitur një paketë me masa fiskale e cila ka si synim të ul nivelin e kredive me probleme dhe të nxisë kreditimin e ekonomisë në vend.Kjo paketë është mirëpritur si prej bizneseve dhe bankave të nivelit të dytë në vend ndërkohë që pritet të kaloj për miratim në kuvend.