Salianji shpall kandidaturën për kreun e FRPD: “Për Familjen, Atdheun dhe Zotin”

Një prej emrave të rinj të PD-së dhe ndër zyrtarët më aktivë të saj, Ervin Salianji do t’i bashkohet emrave të tjerë për garën e kreut të FRPD.Salianji shpalli sot kandidaturën e tij, ndërsa deklaroi se tërhiqet nga funksionet që ka në PD, si anëtar kryesie dhe drejtues departamenti si dhe kërkoi mbështetje nga të gjithë për garën e tij.Deklarata: Të dashur miq, mbështetës të PD, të rinj Demokratë apo të paangazhuar:Partia Demokratike, dhe Forumi Rinor i saj, pas pak kohësh festojnë një Jubile: 25 vjetorin e Lëvizjes së Dhjetorit. Ajo kohë me ata njerëz dhe forcën e kredos së tyre, të rinj e të reja, intelektualë e punëtorë, përbëjnë aktin themelues të Partisë Demokratike.Shumë vite kanë rrjedhur, dhe tek e shohim të shkuarën me vëmendje e nostalgji, një gjmund t'a themi me siguri: Partia Demokratike ka mbetur Shtëpia e Lirisë, streha më e sigurt e vlerave euroatlantike, partneri më besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Me po kaq siguri mund të thuhet se, kundërshtarët tanë politikë, shpeshherë, bëhen rrezikues të këtyre vlerave. Duket sikur koha u bën sërish thirrje të rinjve, si 25 vjet më parë, për Angazhim, Frymëzim, për Liri e Demokraci. Nën këtë shenjë, me mbështetjen tuaj, me besim te rinia e Shqipërisë, Demokrate ose jo, shpall sot kandidaturën për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike te Shqiperise. Kjo do të thotë tërheqje nga të gjitha funksionet e mia në parti; si anëtar Kryesie dhe drejtues i Departamentit të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Falenderime të gjithë atyre që më kanë mbështetur për të mbërritur deri aty, dhe që më kanë mbushur me besim për më tej.Të dashur miq,Kontributi im në PD fillon që në bankat e shkollës: Unë jam rritur me ju dhe me këtë formacion politik. PD është shtëpia ime dhe ju familja e dytë. Si fëmijë, e për vite me radhë, profili politik e njerëzor i Sali Berishës më ka mbushur me frymëzim e besim. Si student e në vazhdim, fryma e re që solli në PD dhe politikë Lulzim Basha ka emancipuar te unë njeriun politik modern. Të dyve u jam mirënjohës.Çka thashë për 'familjen e madhe' shkon edhe për të 'voglën': për dashurinë, inkurajimin, zemrën e madhe e dorën në sup të prindërve të mi dhe vëllezërve. Ne jemi një parti e djathtë, kjo do të thotë: Ne jemi për Familjen, Atdheun dhe Zotin.Nën këto vlera, që besoj janë edhe tuajat, kërkoj mbështetje për kandidaturën time për detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. E kuptoj shumë mirë se nuk do ta keni të lehtë zgjedhjen: ata që kam përballë janë vajza e djem të mrekullueshëm. Brenda garës së ndershme, në ditët në vijim, do t'u paraqes platfomën time. Ajo do të jetë Kontrata ime me ju dhe Partinë Demokratike, dhe për atë pakt do e kërkoj besimin dhe votën tuaj.Ju faleminderit!