Tregu i mallrave të përdorura, Totozani kërkon trajtimin si kategori e veçantë
Edhe pse Drejtoria e Tatimeve u la afat për regjistrimin e aktivitetit deri në datën 15 tetor, tregtarët e mallrave të përdorura në kryeqytet kanë vijuar aktivitetin deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Avokati i Popullit me anë të një shkrese zyrtare nisur Ministrisë së Financave, bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Tatimeve sugjeron disa masa lehtësuese për këtë kategori, ku më kryesorja mbetet trajtimi i tyre si kategori e veçantë në shkallë më të ulët se biznesi i vogël.Tregtarët e mallrave të përdorura të cilët zhvillojnë aktivitetit në kryeqytet pranë QSUT-së duhet të trajohen si një kategori e veçantë në bazë të ligjeve dhe të paguajnë taksa në bazë të xhiros.Kjo ishte kërkesa që Avokati i Popullit i ka drejtuar institucioneve të linjës për këtë kategori.Tregtarët shprehen se janë të frikësuar, duke qenë se u ishte vendosur afati deri në datën 15 tetor për tu formalizuar, ndërkohë që presin përgjigje nga institucionet dhe ende janë në treg.Tregtarja: “Për leckat, ku do ti gjejmë ne paratë ti paguajmë? Jemi në pritje. Ku të shkojmë të mbytemi?”Tregtarja: “Ne kërkojmë që të na lënë këtu, nuk kemi ku të shkojmë, po mbajmë familjen në këtë treg. Me 200 lekë që shesim po hamë bukë”.Tregtarja: “Sot kemi ndenjur me frikë, nuk e dimë se çfarë do bëjnë. Nuk jemi as në qiell dhe as në tokë. Për kasë fiskale, shikojeni vetë si është gjendja këtu”.Në këtë treg ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 300 tregtarë, të cilët sigurojnë jetesën e përditshme aty.Në rekomandimin e Avokatit kërkohet kategorizim i tyre si shitës ambulantë ose kategori tjetër e veçante që të jetë më e ulët se biznesi i vogël që ka nje qarkullim vjetor deri në 2 milion lekë.Ndër të tjera, Avokati i Popullit kërkon krijimin e kushteve lehtësuese për komunitetin e tregtarëve të tregut pranë Spitalit nr.5 Tiranë, si dhe lejimin e ushtrimit të këtij aktiviteti pa ndërprerje deri në plotësimin e të gjitha detyrimeve ligjore.Një ndër pikat që avokati i kërkon institucioneve të kenë në konsideratë është dhe krijimi i lehtësirave në proçedurat e tërheqjes së artikujve të konfiskuar, duke përcaktuar kritere të veçanta për rikthimin e tyre.