Akuza e KLSH, PS: Po ndjek linjën e PD, asnjë dëm nga paqja me ÇEZ
Partia Socialiste argumentoi sot se marrëveshja e arritur me ÇEZ jo vetëm që nuk ka shkaktuar një dëm prej 479 miliard euro, por ka kursyer buxhetin e shtetit nga një dëm potencial prej rreth 802 milion euro.Deputeti socialist, Ervin Bushati, akuzoi Kontrollin e Lartë të Shtetit se me auditet dhe kallëzimet po ndjek linjën e PD.Bushati: “Pretendimi i zhvlerësimit të aksioneve të shtetit shqiptar, që sipas KLSH ka shkaktuar 32 milionë euro dëm, është një tjetër pretendim i pavend. Të gjitha gjetjet nga audite të pavarura tregojnë se vlera tregtare e shoqërisë CEZ shpërndarje ishte negative. Nga ana tjetër, auditi tregon se vlera e Aseteve të kompanisë ishte 24 miliardë lekë. Sipas marrëveshjes të zgjidhjes me mirëkuptim, nënshkruar nga qeveria shqiptare, aksionet e kompanisë kalojnë 100% në pronësi të shtetit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe asetet e saj, në këmbim të vlerës simbolike prej 1 euro. Falë kësaj marrëveshje, jo vetëm që palës çeke nuk i njihet shuma prej 102 milionë euro që CEZ kishte paguar gjatë procedurës së privatizimit, por edhe 24 miliardë lekë asete të kompanisë çeke kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar. Në rast se nuk do të arrihej marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit midis shtetit shqiptar dhe CEZ, kjo e fundit kish të drejtën të pretendonte si dëmshpërblim rreth 500 milionë euro nga borxhet që konsumatorët i detyroheshin kompanisë, 102 milionë euro nga vlera e privatizimit të kompanisë, si dhe 24 miliardë lekë (200 milionë euro) nga vlera e aseteve që CEZ dispononte.Si pasojë marrëveshja e arritur me CEZ jo vetëm që nuk ka shkaktuar një dëm prej 479 milionë euro, por ka kursyer buxhetin e shtetit nga një dëm potencial prej rreth 802 milionë euro”.