Sekuestrohen 3.2 ton kanabis në Kurvelesh, poseduesit në kërkim
Ka shkuar në 3.2 ton sasia e lëndës narkotike të sekuestruar sot në superoperacionin antidrogë të koduar “Llufa”.Përmes një njoftimi për mediat, policia e Gjirokastrës bën me dije 1 ton lëndë narkotike, shumica në formë boçe dhe në proçes tharje u gjet në një stan dhe tendë në vendin e quajtur Llufë në malin e Kurveleshit.Ndërkohë pjesa tjetër e drogës, e prerë dhe e paprerë mësohet se ishte e kultivuar në katër parcela.“Kultivuesit nuk kanë mundur dot ta presin të tërë bimën narkotike të kultivuar.2.2 ton bimë narkotike kanabis sativa e kultivuar në katër parcela”.Policia thekson më tej se lënda narkotike e thatë, ajo në proçes tharje dhe ajo e kultivuar, pas kryerjes së veprimeve me grup hetimor u asgjesua në vend me anë të djegies.Ndërkohë një pjesë nga secila është marrë në cilësinë e provës materiale.Blutë bëjnë me dije se poseduesit e drogës kanë mundur të largohen në mal, por janë identifikuar dhe bëhet fjalë për 4 të rinj nga qarku Gjirokastër.Nga ana e policisë vijon puna për kapjen e tyre.Në drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër zbarkuan sot Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe Drejtori i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda Ardian Çipa, të cilët zhvilluan një takim me krerët e Drejtorisë së policisë së qarkut Gjirokastër.

