Avokati i Popullit, rekomandime qeverisë për minoritetet
Avokati i Popullit Igli Totozani i ka dorëzuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të drejtësisë Eduard Halimi dhe atij të punës Spiro Ksera disa rekomandime për plotësimin e kuadrit ligjor, për njohjen dhe mbrojtjen e minoriteteve në vendin tonë, në përputhje me përcaktimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”.Avokati i Popullit thekson se një element të domosdoshëm për progresin e mëtejshëm të integrimit në BE të vendit tonë, është përmirësimi i standardeve të garantimit dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve.“Konkretisht, në lidhje me minoritetet kombëtare evidentohet se, pavarësisht bazës normative ligjore në fuqi, mungon përkufizimi i minoritetit kombëtar. Aktualisht procesi i njohjes së këtyre minoriteteve në vend, bazohet në kriteret e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare, siç janë kriteret objektive që kanë të bëjnë me ekzistencën e karakteristikave etnike, kulturore, fetare, linguistike të veçanta dhe të qëndrueshme, nga pjesa tjetër e popullsisë të këtij grupi, si dhe me shfaqjen e vullnetit për të ruajtur kulturën, traditat, fenë, gjuhën e tyre, si dhe kriterin që nënkupton zgjedhjen personale për të qënë pjesë e minoritetit” thekson Avokati I Popullit.Sipas tij, Konventa Kuadër e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, siç përcaktohet edhe në Opinionet përkatëse të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, nuk është e vetëzbatueshme, por ka nevojë për adoptimin e masave të tjera ligjore dhe nënligjore për të bërë të mundur zbatimin e dispozitave të saj."Kjo Konventë nuk përcakton ndonjë përkufizim, në bazë të të cilit kryhet njohja e minoriteteve, por e lë këtë gjë në dëshirën e shteteve anëtare të Këshillit të Europës, që të kryejnë rregullimin e këtij aspekti nëpërmjet akteve ligjore të brendëshme, në varësi të konfigurimit respektiv të minoriteteve në çdo vend. Në këto kushte është i nevojshëm rregullimi me një ligj specifik, i cili do të parashikojë shprehimisht këtë moment. Vlerësojmë se, miratimi i këtij ligji do të ketë efektet e tij dhe do të kërkojë edhe reflektim në dispozitat ligjore të një sërë ligjesh të tjera në fuqi, që do të sigurojnë pjesëmarrje dhe përfaqësim sa më real dhe aktiv të minoriteteve në Shqipëri” thekson më tej Avokati I Popullit.Sipas tij, me qëllim garantimin sa më të mirë të të drejtave të minoriteteve në vend, si një element i rëndësishëm i shtetit të së drejtës, është e nevojshme të realizohet inisiativa legjislative për miratimin e një ligji ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”.