Kuvend, anulohet seanca plenare
Anulohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë e cila ishte parashikuar që të zhvillohej ditën e sotme.Nuk dihen ende arsyet e anulimit të seancës ku do të shqyrtohej projektligji i paraqitur nga ministri i Drejtësisë Eduard Halimi për rritjen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.Në një mesazh të postuar dje në rrjetin social Facebook, ministri Halimi theksonte se përmirësimi i statusit të prokurorëve është një nga çështjet e rëndësishme të reformës në drejtësi dhe se pagat më të larta për aktorët e drejtësisë, do të kenë impakt në rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies.”Në parlament, pagat e prokurorëve rriten me 20%. Pagë jo më e vogël se 1 milion lekë në muaj për prokurorët e shkallës së parë. Pagë jo më pak se 1 milion e treqind mijë lekë për prokurorët e apelit, dhe krimeve të rënda të shkallës së parë. Pagë jo më pak se 1 milion e katërqind mijë lekë për prokurorët e krimeve të rënda të apelit”, shkruante ministri.Sipas tij, në tërësi reforma e rritjes së pagave do të prekë më shumë se 1 mijë prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë të policisë gjyqësore në vend.“Do të ndihmojë ata qindra prokurorë e gjyqtarë që sapo kanë nisur karierën e tyre, ata qindra prokurorë e gjyqtarë që e nisin ditën e tyre me mendimin për të kryer punën me përkushtim e ndershmëri, për emrin e tyre dhe të familjes së tyre. Ne duhet të besojmë tek drejtësia, ajo për të qënë më e drejtë ka nevojë për besimin tonë, përfundon komentin e tij në Facebook, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.