Rezoluta çame, relatorët: Nuk jemi gati. Idrizi: Mos na sorrollatni

Komisioni i jashtëm shqyrtoi sot rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame ndërsa vendosi që relacioni përfundimtar të paraqitet të martën e ardhshme.Dy relatorët e çështjes Fatbardh Kadilli nga Partia Demokratike dhe Qemal  Minxhozi nga Partia Socialiste, do të prezantonin sot punën përmbyllëse në komision por ata janë shprehur se nuk janë ende gati për relacionin.

"Kemi pasur vështirësi gjatë konsultës së legjislacionit grek pasi nuk është e lehtë. Duam kohë për të punuar seriozisht me këtë dokumentacion. Duhet dokument serioz, nuk mund ta kthejmë në dokument të thjeshtëzuar"theksoi relatori Fatbardh Kadilli.

Ndërsa relatori i PS-së Qemal Minxhozi ka theksuar se rezoluta ka nevojë për ristrukturim të përmbajtjes pasi është e papranueshme. “Ne jemi të gatshëm të hyjmë në thelbin e përmbajtjes nga e marta për një produkt pozitiv” tha Minxhozi.Shqyrtimi i rezolutës çame në komision u shoqërua me debate të ashpra mes kreut të PBDNJ-it Vangjel Dule dhe atij të PDIU-së Shpëtim Idrizi.Në fillim të mbledhjes, Dule kundërshtoi diskutimin e rezolutës me arsyetimin se është i  papërcaktuar në dispozita dhe në procedurat ligjore.Por, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka theksuar se diskutimi i rezolutës është sipas ligjit dhe se çështja çame duhet të zgjidhet.“Duam mirëkuptimin tuaj pasi çështja çame është histori e qartë dhe ne vuajmë genocidin. Çështja çame rëndon në ndërgjegjen e 300 mijë shqiptarëve. Ky genocid ka shkelur të drejtat e njeriut por rezoluta tenton marrëdhënie të mira me Greqinë. Të mos fshehim problemet me Greqinë, ne falim por nuk harrojmë.  Bëhet fjalë për qindra njerëz të vrarë dhe histori 20-vjeçare, që vërtitet në tavolinat e politikës shqiptare. Edhe vetë pala greke e cilësuar çështjen çame juridike,kjo është është ngritur dhe në të shkuarën.Ne duam riaktivizim të traktatit të miqësisë dhe heqjen e ligjit të luftës” theksoi Idrizi.Idrizi  gjithashtu ka kërkuar hartimin e dy neneve sipas të cilave të riaktivizohet traktati i miqësisë dhe të hiqet ligji i luftës.“Ne nuk mund të diskriminohemi dhe të sorollatemi në këtë komision. Ju e dini historinë e Çamërisë, nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, duam të gëzojmë shtëpinë tone. Bëni dy nene, të riaktivizohet  traktati i miqësisë, të hiqet ligji i luftës,ne jemi dakord.Nëse na mbështesni për çështjen çame,mos na sorollatni në Komision” i është drejtuar Idrizi relatorëve.Pas fjalëve të Idrizit, kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule është larguar nga mbledhja duke theksuar se ky komision po kthehet në një komision rrugaçërie.

Ndërkohë komisioni i jashtëm vendosi që ditën e martë të shqyrtojë sërish rezolutën për zgjidhjen e çështjes came ku deputetët e PDIU-së Shpërtim Idrizi dhe Tahiri do të ulen sërish me relatorët për të dalë me një projekt të përbashkët.

Votimi i rezolutës çame në seancë plenare është një test i rëndësishëm politik jo vetëm për Partinë për  Drejtësi Integrim dhe Unitet që e ka depozituar këtë nismë në Kuvend, por edhe për partitë e mëdha parlamentare.PDIU  e ka kushtëzuar koalicionin paraelektoral me partitë e mëdha me qëndrimin që ato do të mbajnë në raport me votimin e rezolutës çame në kuvend.Në fund të vitit që shkoi, PDIU, iu drejtua Kuvendit me një rezolutë përmes të cilës kërkohet zgjidhje e  çështjes came, ndërsa kreu i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi, ka apeluar në vazhdimësi edhe individualisht deputetët që ta votojnë këtë iniciativë.