ODIHR: Zgjedhjet në Shqipëri, mjedisi i polarizuar nga dy partitë kryesore

Tensionimi i klimës politike mund të ketë pasoja negative në zgjedhjet e 23 Qershorit. Kështu konkludon raporti i parë i ODIHR  për zgjedhjet në Shqipëri.Vëzhguesit e misionit thonë se kanë gjetur në Shqipëri një mjedis të polarizuar nga dy partitë kryesore."Klima politike është e tensionuar, për shkak të konflikteve mes dy partive kryesore. ODIHR ngre shqetësimin se kjo mund të ketë impakte negative në mbajtjen e zgjedhjeve. Është vënë re rritja e retorikës nacionaliste nga disa parti politike. Këto zgjedhje mbikqyren nga ndërkombëtarët si një test i rëndësishëm për aspiratat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian."Misioni i ODIHR del kundër propozimit të kryeministrit Berisha për të ulur moshën e votuesve nën 16 vjeç.“Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbështetjen e tij për të ulur moshën  e votuesve nga 18 në 16 vjeç. Ky ndryshim rrënjësor kërkon konsensus të gjerë, që aktualisht mungon. Nuk është një prakikë e mirë për të bërë ndryshime thelbësore të ligjit elektoral në një kohë kaq të shkurtër para zgjedhjeve.”ODIHR ngre alarmin për presion ndaj votuesve në ditën e zgjedhjeve."Nuk është ngritur asnjë shqetësim në lidhje me aftësinë për të organizuar zgjedhje të lira, por shqetësime janë ngritur mbi një presion të mundshëm mbi votuesit dhe keqpërdorimin e burimeve dhe fondeve shtetërore "Ndërsa për të gjithë problematikën zgjedhore sytë do të drejtohen nga KQZ-ja, ODIHR  thotë se mungesa e deritanishme e konsensusit mund të rezultojë me politizimin e mëtejshëm të këtij institucioni."Përgatitjet e zgjedhjeve nga KQZ-ja janë në vazhdimësi, e pjesa më e madhe e afateve janë përmbushur. ODIHR është i shqetësuar për paaftësinë e KQZ-së për të vendosur mbi dy çështje kryesore, ndarjen e mandateve dhe numrin e zonave të administrimit zgjedhor. Mungesa e konsenusit ka shumë gjasa që të çojë në politizimin e mëtejshëm të KQZ-së."Referuar medias, ODIHR vlerëson se mjedisi mediatik është i polarizuar dhe i rreshtuar përkrah interesave politike.