Ekstradimi i Arben Frrokut, çështja i kalon Gjykatës së Lartë në Greqi
Gjykata e Selanikut ka shpallur moskompetencë të saj për të vendosur për ekstradimin e Arben Frrokut, drejt Shqipërisë.
Autoritetet shqiptare e akuzojnë për vrasjen e ish-shefit të komisariatit numër 6, Dritan Lamaj.
Kjo gjykatë ka vendosur tia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë Greke në Athinë, e cila pritet të njihet me dosjen dhe të vendosë për ekstradimin ose jo të biznesmenit.
Të njëjtin argumentim Gjykata e Selanikut dha edhe për nipin e Frrokut, Jak Jaku, ku Gjykata e Lartë pritet të vendosë në ditët në vijim.
Avokati grek i Frrokut argumetoi se kërkesa e autoriteteve shqiptare është krejtësisht politike dhe për më tepër që gjykata e shkallës së parë e Selanikut, nuk ka kompetencë për të vendosur për ekstradimin.
Ndërsa nga avokati i tij në shqipëri bëhet me dije se ai ka kërkuar mos ekstradimin. Kjo për faktin se Frroku kërkon të vijë në Shqipëri si person i lirë dhe më pas të përballet me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Por një pikëpyetje e madhe ngrihet pas vendimit të Gjykatës së Selanikut. Bëhet fjalë për afatet e paraburgimit të Frrokut, pasi në datën 9 Prill skadon afati 40 ditor vendosur nga Gjykata Greke në datën 1 Mars.
Duhet pritur nëse Prokuroria Greke do të kërkojë shtyrjen e afateve apo Gjykata e Lartë do të vendosë përpara datës 9 Prill,ditë kur skadon afati.