Kosovë, Serbët e veriut në protestë

Serbët e veriut kanë mbajtur për një orë të bllokuar rrugën magjistrale që lidh veriun e Mitrovicës me pikën kufitare numër 1 në Jarinjë. Sipas burimeve policore, kjo është bërë në shenjë proteste për zhvillimet që pritet të ndodhin në Bruksel më 2 Prill.  Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se rreth orës 13:00, në rrugën që çon drejt portës 1 në Jarinjë, u mblodhën rreth 250 qytetarë serbë." Ata dolën në rrugë me makinat e tyre dhe bllokuan qarkullimin për të gjitha automjetet. Protesta përfundoi pas një ore dhe nuk u shënua ndonjë incident" tha zëdhënësi i policisë.Ndërkohë që të Shtunën, po në veri, në urën mbi lumin Ibër, kanë protesuar kundër dialogut qytetarët kosovarë, të udhëhequr nga Albin Kurti, i cili tha se, Mitrovica është qendra në të cilën duhet të bashkohen shqiptarët dhe se pa Mitrovicën e bashkuar nuk ka shtet.Marrëveshja që pritet të arrihet më 2 Prill në Bruksel, sipas Kurtit, është e papranueshme dhe si e tillë do të kundërshtohet në demonstrata të tjera në Prishtinë.