Maqedoni, KSHZ vendos për ankesat në proçesin zgjedhor
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni hodhi poshtë ankesat e partisë së kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE për votime të reja në komunën e Kërçovës.Anëtarët e KSHZ për disa orë kanë debatuar lidhur me dy ankesat që janë drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila kishte nënvizuar se në ditën e votimeve në zonën e Kërçovës, kryesisht në vendbanimet rurale ka pasur shkelje dhe parregullësi në proçesin zgjedhor, si votime familjare, dhënie të fletëvotimeve pa radhë si dhe shumë ndërhyrje gjatë votimit të qytetarëve. Por kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko dhe anëtarët e tjerë kanë theksuar se në procesverbalet e komisioneve komunale zgjedhore nuk ka pasur asnjëlloj vërejtje. Ndërsa ankesa e dytë ka të bëjë me llambën UV dhe spërkatësin, që sipas tyre, nuk kanë funksionuar si duhet dhe nuk kanë lënë shenja në gishtrin tregues të qytetarëve që kanë votuar. Ndërkohë kundër këtyre ankesave të VMRO-DPMNE është vendosur edhe nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.Zgjedhjet vendore të Dielën e parë janë vlerësuar të suksesshme për shqiptarët, sepse komunave tradicionalisht shqiptare në Maqedoni iu shtua dhe ajo e Kërçovës që nuk është drejtuar nga një shqiptarë që prej shtatëdhjetë vjetësh. Kandidati i partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, Fatmir Dehari, ka fituar ndaj atyre maqedonas. Por fitorja e BDI në Kërcovë ka sjellë reagime nga qytetarët maqedonas të kësaj komune të cilët pretendonin të fitonte partia VMRO-DPMNE.KSHZ ka pranuar vetëm rreth 20 ankesa të partive politike për parregullsi gjatë votimit, nga 420 që ishin gjithësej. Gjithashtu anëtarët e komisionit theksuan se këto ankesa nuk do të cënojnë dhe rrezikojnë rezultatin e kandidatëve të partive që kanë fituar në raundin e parë të zgjedhjeve, por ka të bëjë vetëm me ankesa rreth disa shkeljeve në procesin e votimit. KSHZ pritet të vendos për ankesën e PDSH-së, ankesën e BDI dhe dy ankesa për Strumicën.