Serbia nuk ia kompenson Kosovës dëmet e luftës

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka theksuar se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me nënshkrimin e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e dëmeve të luftës, shërben ekskluzivisht për konsum të brendshëm.Daçiç ka thënë se asnjëherë nuk është përmendur diçka e tillë gjatë bisedimeve në Bruksel.“Asnjë marrëveshje paqësore apo rregullim i çështjes së kompensimit të dëmeve të luftës nuk janë përmendur në bisedimet zyrtare mes Beogradit dhe Prishtinës. Ato janë deklarata për konsum të brendshëm. Diçka e tillë, për ne është absolutisht e papranueshme”, ka thënë Daçiç, për gazetën serbe Kurir.Edhe avokati i njohur serb, Toma Fila thekson se deklarata e kryeministrit të Kosovës nuk ka asnjë peshë, sepse, sipas tij, Kosova nuk mund të kërkojë diçka të tillë, meqë nuk është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pasi nuk është e njohur nga OKB-ja.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ekspozesë së tij në Këshillin e Sigurimit në New York, ka deklaruar se angazhohet për nënshkrimin e marrëveshjes paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të rregullohej edhe çështja e kompensimit të dëmeve të luftës.