Pas marrëveshjes me Kosovën, Vucic kryeministër i Serbisë?
Nëse deri nga mesi i prillit nuk arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, janë të mëdha shanset që në vend të kryeministrit aktual Ivica Daciç të vijë zëvendëskryeministri i parë, Aleksandër Vucic, shkruan gazeta serbe “Danas”.E nëse gjatë kësaj periudhe dështojnë negociatat dhe Serbia mbetet pa datën e fillimit të negociatave me BE-në, do të ndodhë vetëm riformatimi i Qeverisë, përkatësisht ndryshimi i disa ministrave.“Në funksion të kësaj flasin deklaratat dhe qëndrimet e ashpra të Ivica Dacicit dhënë kohëve të fundit rreth dialogut. Ai është i vetëdijshëm për pasojat politike dhe pozicionin e tij në Qeveri. Për këtë arsye atij nuk i përgjigjet një marrëveshje e shpejtë me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton”, thuhet në shkrimin e gazetës “Danas”.Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Predrag Simic, ka thënë se ka shumë mundësi që pas përfundimit të bisedimeve me Prishtinën vendin e Dacicit ta zërë Vucic, lideri i Partisë Progresiste të Serbisë (SNS).“Për sa kohë që vazhdojnë bisedimet, lideri i SPS-së e ka vendin e sigurt në Qeveri, por me të përfunduar ato do të ketë sigurisht ndonjë formë të rikonstruktimit, apo mund të shkohet edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka pohuar Simic.Sipas fjalëve të tij, Dacic si partner i vogël në koalicionin qeveritar ia ka marrë në dorë bisedimet me Thaçin dhe se për këtë rrezikon shumë ai dhe partia e tij. Simici thotë se në qoftë se arrihet marrëveshje për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, shumë njerëz do ta akuzojnë Dacicin për tradhti, e kjo do të jetë një shans i mirë për kundërshtarët e tij politikë.Drejtori i Qendrës për Studime Politike, Milan Nikolici, vlerëson se Serbinë e presin zgjedhjet në fund të kësaj vere dhe se “progresistët” e Vucicit do të gjejnë shumë lehtë arsyetimin për këtë zhvillim, duke thënë se tashmë ekzistojnë mosmarrëveshjet brenda koalicionit.Si njërën nga mundësitë e përplasjes mes partnerëve SNS-së dhe SPS-së, Nikolic përmend aferat e korrupsionit dhe të ngjashme, e të cilat mund të kenë për epilog arrestimin e njerëzve nga radhët e socialistëve.“Vucic dhe SNS-ja aktualisht janë në kulmin e fuqisë dhe popullaritetit gjykuar sipas hulumtimeve të opinionit publik, dhe ky trend sigurisht se do të vazhdojë. Në qoftë se Serbia do ta marrë datën e fillimit të negociatave me BE-në, ata do të tentojnë ta kapitalizojnë këtë. Në anën tjetër, nëse nuk ka datë, progresistët do ta vazhdojnë rritjen e popullaritetit duke forcuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përkatësisht arrestimin e tajkunëve. Në këtë mënyrë, SNS-ja do të mund të shkonte mbi 50 për qind të përkrahjes”, ka vlerësuar Nikolic.Nënkryetarja e Partisë Socialiste (SPS), Dijana Vukomanovic, ka thënë se respektojnë dëshirën e progresistëve, por, sipas saj, edhe SNS-së së Vucicit i duhet “fitorja absolute në zgjedhje”, për të fituar të tri shtyllat kryesore të shtetit – presidentin e Republikës, kryetarin e Qeverisë dhe kryetarin e Kuvendit.