Përfundon mandatin Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj

“Miratimi i ligjit për Koferencën Gjyqësore Kombëtare është shenjë ndërgjegjesimi si dhe njëkohësisht përkushtimi nga ana e aktorëve politikë, në drejtim të fuqizimit të rolit të gjyqësorit në një shoqëri demokratike si dhe e ruajtjes së pavarësise së tij institucionale”.Kështu është shprehur Kryetarja e Gjykatës së Lartë  Shpresa Beçaj në një takim me trupën gjyqësore ndërsa ka njoftuar edhe për përfundimin e mandatit të saj në krye të këtij institucioni në datën 23 Mars 2013.Gjithashtu Beçaj nuk la pa përmenduar faktin se qëndrimi në pritje për një kohë të gjatë i miratimit të ndryshimeve të pritshme të ligjit organik të Gjykatës së Lartë, dhe mos marrja parasysh e vërejtjeve dhe sugjerimeve të propozuara nga Trupa e Gjykatës së Lartë në draft, vonesa në hartimin e ndryshimeve shumë të pritura në kodet e procedurave, nuk e ka favorizuar punën e këtij institucioni.“Rritja e fondeve buxhetore për gjyqësorin, të cilat do të mundësonin plotësimin e nevojave të gjyqësorit dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, do të ofronte një shërbim sa më të mirë e më cilësor kundrejt qytetarëve. Hartimi i prioriteteve dhe politikave zhvillimore për përmirësimin e punës së gjyqësorit ka nevojë për pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë faktorëve dhe aktoreve të përfshirë në sistemit të drejtësisë, klasës politike dhe shoqërisë civile. Në këtë kuadër, në frymën e proçeseve integruese nëpër të cilën po kalon vendi ynë, është e një rëndësie të veçantë të shtohet bashkëpunimi institucional ndërmjet të tre pushteteve, në respekt të pavarësisë kushtetuese të secilit, në drejtim të arritjes së praktikave dhe standarteve demokratike mbi të cilat duhet të organizohet dhe funksionojë pushteti gjyqësor” u shpreh BeçajKryetarja e Gjykatës së Lartë është shprehur përpara kolegëve të saj se  Gjykata e Lartë, si organi gjyqësor unik dhe më i lartë i pushtetit gjyqësor shqiptar, është përballur me problematika të cilat kanë penguar dhe vazhdojnë të pengojnë përmirësimin e eficencës së kësaj gjykate në kuadër të administrimit të drejtësisë. Për shkak të kompetencave të gjera që ajo ka, Gjykata e Lartë vazhdon të jete e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat, të cilat kanë sjellë si rezultat vonesa të ndjeshme në gjykimin e çështjeve, duke e shmaguar atë nga qëllimi i saj kryesor që është gjykimi i çështjeve vetëm për shkaqe ligjore, duke zbehur në të njëjtën kohë kompetenca kushtetuese për unifikimin e praktikës gjyqësore. Kjo tregohet edhe në analizën e detajuar që i është bërë rregjistrimit të çështjeve për vitin 2012 krahasuar me vitet e mëparëshme. Krahasuar me vitin 2011, rezulton se pranë Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2012 janë regjistruar rreth 581 çështje më shumë, me një efekt në rritjen e pervitshme të numrit të çështjeve gjyqësore të pashqyrtuara, i cili arrin në 9961 çështje.