KQZ: Të sillen propozimet për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë sërish thirrje të gjitha organizatave jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias, të sjellin sa më shpejt që të jetë e mundur pranë këtij insitucioni propozimet e tyre për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias.Në një deklaratë për shtyp, KQZ-ja thekson se në zbatim të nenit 85 të Kodit Zgjedhor i ka kërkuar  Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, listën e organizatave jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias nga ku rezultojnë 54 organizata të regjistruara.“Pas njoftimeve të këtyre organizatave sipas emrit dhe adresës të përcaktuar në vendimin e rregjistrimit në gjykatë, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me anë të postës, për njoftimin e tyre që të sjellin propozimet për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias ngre shqetësimin se një pjesë e organizatave jofitimprurëse nuk e kanë marrë njoftimin.  Nga 54 organizata 40  prej tyre sipas përgjigjes nga Posta Shqiptare nuk e kanë marrë njoftimin e KQZ-së arsye të largimit të subjektit/ subjekti është i panjohur/ adresë e gabuar/ nuk njihet/ adresë e pamjaftueshme.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pamundësi të komunikimit shkresor me këto organizata ju bën thirrje atyre me anë të kësaj deklarate për shtyp që të sjellin pranë KQZ-së propozimet e tyre për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias” thekson KQZ-ja