Gjykata e Durrësit shtyn sërish vendimin për Ilir Xhakjan

Gjykata e Apelit në Durrës ka shtyrë për në 10 prill seancën gjyqësore ndaj Ilir Xhakjas i cili akuzohet për vrasjen e Qerim Malokut në vitin 1998.Në seancën e sotme, avokati mbrojtës i Xhakjas kërkoi riekspertim të gëzhojës që pretendohet se ka dalë nga arma e përdorur për vrasjen e Malokut.“Kërkoj riekspertim të armës duke bërë qitje eksperimentale” është shprehur avokati mbrojtës.Kërkesa e avokatit u pranua nga trupi gjykues ndërsa u kundërshtua nga prokurori i çështjes i cili ka theksuar se qitja me të njëjtën armë pas 15 vitesh të çon në konkluzione të pasakta.“Konkluzionet mund të jenë të pasakta, pasi mbi armën kanë ndikuar dhe faktorët klimatikë” është shprehur prokurori.Por trupi gjykues pasi pranoi kërkesën e mbrojtjes vendosi tre specialistë për riekspertimin e armës, që do të dalin me një raport të detajuar.Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar 24 vite burg ndaj Ilir Xhakjas, ndërkohë që në vitin 2002 gjyqtari Neritan Tabaku, i dha pafajësinë atij për këtë krim.Vrasja e Qerim Malokut ka ndodhur në 26 korrik të vitit 1998 në vendin e quajtur Katund Sukth ndërsa për vrasjen e tij akuzohet pikërisht Ilir Xhakja.Ndërkohë mbi Xhakjan rëndon akuza e vrasjes së Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të vitit të kaluar.