Kuvendi miraton vetëm me votat e mazhorancës ligjin për armët
Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për armët. Projektligji u votua me 66 vota pro dhe 56 kundër të opozitës e cila kundërshtoi sërish ligjin pasi sipas saj liberalizon tregun për shitjen e armëve.Deputeti i PS-së, Arben Isaraj akuzoi kryeministrin Berisha se ka urdhëruar armatosjen e të gjithë zyrtarëve dhe zëvendësave të tyre në prag të fushatës zgjedhore, duke lënë të paarmatosur vetëm Presidentin e Republikës.“Sot po çarmatosin vetëm Presidentin dhe të gjithëve na duan nën armë. Ka ditë që biznesi i armëve mezi pret licencimin miliardave të gjakut, a thua se jemi përpara një lufte dhe të gjithë ushtarë. Vetëm Presidentin e Republikës e ka çarmatosur Saliu, pasi ja mori të gjitha dekretet dhe e la me lugë bosh në brez. Sot është koha të çarmatoset politika e çdo niveli, të flasë me gjuhen e Kushtetutës dhe të ligjit”, tha Isaraj.Ndërsa Deputetja Ermonela Felaj, ka deklaruar se qeveria ka provuar se është e paaftë të kontrollojë armët ndërsa ka kujtuar atë që ndodhi në 1997 si edhe në tragjedinë e Gërdecit.I menjëhershëm ka qënë reagimi i ministrit të Brendshëm, Flamur Noka i cili i ka cilësuar si të rreme shifrat e paraqitura nga deputetja Felaj.“Deputetja gënjeu për statistikat dhe për shifrat, gënjeu dhe për pronësinë e armëve të zjarrit, në kohën që ligji e përcakton qartë një gjë të tillë. Ti zonjë në kohën që ke qenë në gjyqësor sa raste ke gjykuar persona për armëmbajte dhe sa është masa më e ashpër për armbëmbjate pa leje? Nuk ke asnjë” i është drejtuar ministri Noka deputetes socialisteNdërkohë, një risi e projektligjit lidhet me personat që kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga organi kompetent i Policisë së Shtetit, ku përfshihen deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, zv/ministra, prefektë, kryetarë të qeverisjes vendore, gjyqtarë.