Presidenti dekoron pas vdekjes me ‘Nderi i kombit’ Rrapo Hekalin
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar në Teatrin antik të “Bylis”, Rrapo Hekalin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi të merituar për atdhedashurinë e rrallë, shpirtin e pamposhtur luftarak, luftën e përpjekjet e tij të paepura liridashëse kundër zgjedhës dhe pushtimit osman”.Në fjalën e tij Presidenti Nishani theksoi se: “Jemi mbledhur për të përkujtuar dhe nderuar njërin prej figurave më mbresëlënëse të rilindjes shqiptare: Kryetrimin mallakastriot Rrapo Hekali, birin e lavdishëm të Hekalit, por edhe njërin nga kapedanët më të shquar në historinë e shekullit XIX të Shqipërisë. Rrapo Hekali me karakterin burrëror, me shpirtin e fuqishëm e të pamposhtur atdhetar, me mbrojtjen e vegjëlisë nga shtypja e mjerimi, me urrejtjen e pashterur kundër pushtuesve turq dhe sunduesve feudalë të vendit, ka hyrë dhe është gdhendur përjetësisht në kujtesën dhe ndërgjegjen e brezave shqiptarë si një legjendë e papërsëritshme dhe si një hero nga ata, të cilët nëna i lind veç njëherë në shekull apo edhe më rrallë.”Dekorata iu dorëzua familjarit të heroit Rrapo Hamitit gjatë ceremonisë ku të pranishëm ishin edhe deputetë të zonës, Prefekti i Fierit, Xhevit Bushi, Kryetari i Qarkut, Vangjel Ndreka, Kreu i komunës Hekal, Eqerem Beqiraj, kryetarë komunash fqinje si dhe qytetarë të zonës. Një program artistik me këngë e valle të zonës nga grupi polifonik “Gjergj Araniatasi” i Mallakastrës mbylli ceremoninë e dekorimit.