Kosovë - Serbi, takohen sërish. BE e paqartë për Thaçin në Beograd

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë në Bruksel takimin e dytë që prej ndryshimit të kryeministrave, Mustafa dhe Vuçiç.  Përmes një njoftimi për media nga ana e Komisionit Europian, mësohet se shefja e BE-së për politikat e jashtme, Federika Mogerini, do të presë për herë të dytë që prej marrjes së postit. Zyra e Mogerinit njofton gjithashtu se në takimin e së martës, palët do të rishikojnë përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe do të diskutojnë për përparimin e pricesit të normalizimit të marrëdhënieve.Në takimin e fundit mes dy kryeministrave në Bruksel ishin të pranishëm edhe ish-kryeministrat Thaçi dhe Daçiç, që sot mbajnë të dy postin e ministrit të jashtëm në shtetet respektive dhe janë përfshirë në një debat në distancë për një vizitë të mundshme të Thaçit në Beograd në datat 23 deri në 25 prill.Por ndërsa autoritetet serbe kanë konfirmuar që mbi Thaçin rëndon një urdhër arresti që do të ekzekutohet sapo ai të vërë këmbë në Beograd, Bashkimi Europian nuk ka bërë një koment të qartë mbi situatën. Zëdhënësja Maja Koçijançiç ka pranuar që mes dy vendeve ka një marrëveshje për lëvizjen e zyrtarëve reciprokë, por hodhi poshtë mundësinë që Brukseli të ndërhyjë për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës së Thaçit, pasi aktiviteti nuk organizohet nga BE.Vetë Thaçi, në një intervistë për "Deutsche Welle", i pyetur mbi mundësinë e arrestimit të tij, ka thënë se periudha e errët mes dy vendeve ka përfunduar dhe ai nuk e ka menduar refuzimin e ftesës që i është bërë për të vizituar kryeqytetin e Serbisë.