Hashim Thaçi: Vizita ime në Beograd, thellon bashkëpunimin Kosovë-Serbi

Vizita ime në Beograd thellon bashkëpunimin Kosove-Serbi. Kështu është shprehur numri një i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi.Në një intervistë për DW, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ne kemi punuar për të mirën e dy vendeve.Hashim THaçi: Unë jam i ftuar nga një organizatë rinore joqeveritare me seli në Beograd, me rrjet në rajonin tonë dhe më gjerë. Në kuadër të pjesëmarrjes së disa personaliteteve nga OJQ të ndryshme, por edhe njërëz të politikës nga rajoni dhe më gjerë, unë kam konfirmuar pjesëmarrjen. Është një mundësi e mirë e thellimit të bashkëpunimit, apo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të ishte një mesazh i mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për paqen dhe stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe një mesazh i pajtimit ndërmjet popujve tanë. Ne kemi kaluar tash e tri vite një kohë të gjatë së bashku në Bruksel, duke punuar për të mirën e vendeve dhe popujve tanë me një angazhim të lartë të baroneshës Catherine Ashton, tash edhe të zonjës, Mogherini. Ndaj edhe konfirmimi im për të marrë pjesë në këtë konferencë në Beograd, për bashkëpunimin, paqen dhe pajtimin e Kosovës dhe Serbisë edhe në rajon, është një konfirmim i vullnetit tonë të mirë. Është e drejtuar për interesin e të gjithëve dhe për të ardhmën e vendeve tona.I pyetur në lidhje me arrestimin e tij nëse shkon në Beograd, Thaçi u përgjigj:"Unë mendoj se edhe Serbia e di: ajo periudhë e errët edhe për Serbinë edhe për rajonin ka kaluar. Tash jemi në një rrethanë të re. Dhe ju e dini se në atë periudhë ka pasur urdhër arreste ndaj shumë personaliteteve botërore dhe rajonale, në kuadër të tyre kam qenë edhe unë. Tash kemi një lidership të ri në Beograd dhe ajo që shoh në takimet e Brukselit është për një shpresë dhe vullnet për integrimet euroatlantike. Prandaj edhe vullneti im dhe masazhi për lidershipin në Serbi është që të punojmë bashkarisht për një rajon paqësorë, për një rajon bashkëpunues, për një fqinjësi të mirë dhe për të ardhme të sigurt euroatlantike."