Maqedoni, Thaçi “kërcënon” Cërvenkovskin për Strugën
A po vihet në pikëpyetje bashkëpunimi mes LSDM-së e PDSH-së. Menduh Thaçi është kërcënuar se nëse lideri socialdemokrat Branko Cërvenkovski nuk mbështet deputetin e PDSH-së, Zijadin Sela, për kryetar të Strugës, atëherë “asgjë nga marrëveshja për zgjedhjet lokale”.Në opinion tanimë përflitet se socialdemokratët po përgatisin Sefer Canovskin për kandidat të Strugës, i biri i liderit të PAE-s, Fiat Canovski. “Nëse LSDM përmend vetëm `S` nga Struga, atëherë nuk do ketë asgjë nga marrëveshja. Nuk ka bashkëpunim me Cërvenkovskin, nëse partia e tij i realizon paralajmërimet që atje të dalë me kandidat Sefer Canovskin, raporton Zhurnal.PDSH është parti parimore dhe pret nga LSDM-ja që t`i përmbahet marrëveshjes për koalicion teknik, të votojë për kandidatin e PDSH-së në mjediset me popullatë dominuese shqiptare”, tha Thaçi të enjten në një prononcim për media.Por, nga LSDM-ja thonë se janë të gatshëm për bisedime me të parin e PDSH-së, por pas mitingut në Shkup, dhe se për Strugën dhe Kërçovën deri më tani nuk është bërë fjalë. Prioritet, siç thonë ata, “do ishin kandidaturat për Shkupin”.“Në bazë të asaj që dëgjova unë, Thaçi deklaroi se nuk ka mosmarrëveshje në bashkëpunimin mes dy partive politike. Ne i mbetemi besnikë marrëveshjes për bashkëpunim teknik me PDSH-në. Jemi të gatshëm për të biseduar, por në këtë moment Struga dhe Kërçova nuk janë objekt i bisedimeve”, tha nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.Sipas Thaçit, mes PDSH-së e LSDM-së nuk ka pasur koalicion edhe aq të fortë, ndërsa për retorikën antishqiptare të socialdemokratëve, ai ka thënë se “kanë qenë fjalë që nuk do mund të kishin ndonjë efektivitet”.