Parlamenti Evropian kritika të ashpra Shkupit
Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) kanë zhvilluar debate të ashpra dhe kanë kritikuar krizën politike në Maqedoni.Mesazhe kritike dhe paralajmëruese për Shkupin kanë dhënë kryesisht eurodeputetët grekë, bullgar dhe slloven, por edhe eurodeputetë të tjerë.Shtyerja e votimit të Projekt – Rezolutës u bë me kërkesë dhe rekomandim të raportuesit të Parlamentit Evropian (PE) për Maqedoninë, eurodeputetit britanik Riçard Hovit. Ky i fundit ka kërkuar që votimit të shtyhet derisa të zgjidhet kriza politike në Maqedoni.“Kriza që ka ndodhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar nuk është tejkaluar. Dy partitë kryesore politike vazhdojnë akuzat mes tyre, ndërsa partia opozitare LSDM ka braktisur Parlamentit dhe kërcënohet me bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Mendimi im vazhdon të qëndrojë se Maqedonia ka shansin historik që në qershor të marrë rekomandimin pozitiv për fillimin e negociatave paraqasëse me BE-së. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse zgjidhet situata, e cila mund të rrënojë progresin e arritur viteve të fundit”, deklaroi raportuesi Hovit në fillimin e debatit në PE në Bruksel.Eurodeputeti britanik ka kërkuar shtyrjen e votimit të rezolutës për disa javë, ndërsa më këtë ka thënë se shpreson se shtyrja do të jetë një sinjal i qartë deri tek partitë në Shkup se duam zgjidhje të krizës politike. “Unë shoh se edhe nismat e fundit për pajtim nuk kaluan dhe se evrokomisioneri për zgjerim Shtefan Fyle ka komunikim të shkëlqyer me liderët politike dhe dëshiron zgjidhjen e krizës”, deklaroi eurodeputeti Hovit.Raportuesi i PE-së për Maqedoninë, Eduard Kukan i bëri thirrje eurodeputetëve që të arrijnë një konsensus se si të ballafaqohen me situatën aktuale lidhur me tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.Eurodeputetët grek kanë theksuar se zhvillimet e fundit në Shkup dëshmojnë se Greqia nuk po bllokon procesin evrointegrues të Maqedonisë.“Sot shihet qartë se cili është problemi real në këtë vend. Nuk është Greqia që po bllokon, por janë problemet me gjyqësorin, korrupsionin, lirinë e medieve, moszgjidhjen e kontestit të emrit”, ka theksuar eurodeputetja greke Marieta Janaku, e cila ka kërkuar që të mos shtyhet votimi i Rezolutës, por realisht të vlerësohen zhvillimet politike në Maqedoni.Kritika në adresë të Shkupit kanë drejtuar edhe eurodeputetët bullgar. Evgeni Kirilov ka theksuar se në Maqedoni ka shqetësime serioze lidhur me zbatimin e standardeve demokratike në sferën e shprehjes së përkatësisë etnike dhe se sipas tij, në Shkup po përgaditen plane megalomane. “Ajo që ndodhi më 24 dhjetor 2012 në Maqedoni u pa në gjithë botën se si policia nxirrte deputetët dhe gazetarët nga Parlamenti. Nga kjo edhe ne duhet të kemi pozicion të qartë. Ky vend nuk është më me demokraci kredibile”, ka theksuar eurodeputeti bullgar Kirilov.Eurodeputeti slloven Zheljko Kacin ka theksuar se Maqedoni po fundoset dhe se ai i bëri thirrje elitave politike në Shkup që të shikojnë vetveten realisht në pasqyrë dhe të ndërprenë akuzat, por të gjejnë zgjidhje të krizës. Kacin ka komentuar edhe mbi identitetin e maqedonasve dhe kontradikta rreth këtij identiteti. “Unë jam nga Sllovenia dhe flas gjuhën sllovene, që është familje e gjuhëve sllave. Në Ballkanin Perëndimor a edhe dy popuj sllav, bullgar dhe maqedonas, që kanë poetë, shkrimtarë dhe manastire të njëjta. Por tani dëgjoj se maqedonasit më nuk janë sllavë. Ata flasin gjuhën sllave, përdorin alfabetin cirilik dhe gramatikën, por nuk janë më sllavë. Elitat politike me këtë po shkaktojnë dëme në planin e marrëdhënieve fqinjësore, pasi që ata me këtë po mundohen të shkruajnë historinë e re dhe nëse vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë do të kemi një Evropë të ballkanizuar”, theksoi Kacin, i cili kërkoi që ti bëhet thirrje pushtetit dhe opozitës në Maqedoni që të kthehen nga koha parahistorike. Sipas tij, është e qartë se fjalët e tij do të përjetohen me keqardhje në Maqedoni.Evrodeputeti grek Jorgos Kumucakos ndër të tjera ka nënvizuar se Maqedonia nuk ka probleme vetëm me Greqinë, por edhe me Bullgarinë dhe Shqipërinë dhe se sipas tij, në këtë situatë vetëm Gruevski është i mençur. Ai ka kritikuar se problemet janë në Shkup, ku sipas tij, nuk funksionojnë institucionet dhe se po rrënohen standardet demokratike. Kumucakos i ka tërhequr vërejtjen eurodeputetit slloven Kukan, që të mos emërtojë qytetarët e Shkupit si maqedonas. “Unë e paralajmëroj kolegun Kukan që të mos përmend termin maqedonas për qytetarët e Shkupit, për shkak se ai me këtë rrezikon që të përballet me një notë protestë nga 30 – 40 deputetët e Parlamentit të Greqisë, që e ndjejnë veten si maqedonas”, ka theksuar eurodeputeti grek Kumucakos.