Takime mes qeverisë serbe dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës
Në komunën e Bujanocit sot do të zhvillohet një takim midis përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të komunave shqiptare në Luginën e Preshevës.Ky takim ku do të marrin pjesë, kryetari i Trupit Kordinues Qeveriar për Luginën, Zoran Stankoviç dhe kryetarët e komunave dhe liderët e partive në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë do të jetë edhe me praninë e shefit të zyrës së OSBE-së në Luginën e Preshevës, Erik Manton.Sipas B92, ky takim nga autoritetet serbe është vlerësuar si njëri ndër më të rëndësishëm në jug të Serbisë, pas të cilit do të duhet të ulen tensionet dhe të arrihet një marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve politik nga Lugina e Preshevës dhe institucionet shtetërore serbe.Edhe pse takimet dhe gjthçka lidhje me të është përgatitur larg syve të publikut, informacionet që i transmeton B92, thuhet se kryetari i trupit Koordinues Zoran Stankoviç që nga 2 nëntori kur edhe është emëruar, ka nisur dialogun me politikanët shqiptar nga Lugina e Preshevës.Përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë pritet të marrë nga përfaqësuesit shqiptarë të Luginës listën e kërkesave të tyre.Liderët shqiptar kanë formuluar një listë me 9 pika me të cilën kërkohet nga shteti i Serbisë dhe bashkësia ndërkombëtare që të zgjidhë problemet me të cilat hasen shqiptarët.Në këtë listë janë të përfshira të drejtat dhe liritë kolektive, përdorimin e gjuhës, simboleve nacionale, kthimin e të shpërngulurve, arsimin, integrimin e shqiptarëve në institucionet publike, dhe kështu me radhë e deri tek situata katastrofike ekonomike në këto komuna.