Dosjet, Komisioni i Sigurisë "ok" nismës “Veliaj”, rrëzon variantin Doda-Idrizi

Projektligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur ndryshe edhe si nisma "Veliaj", ka marrë "dritën jeshile" edhe nga Komisioni i Sigurisë.Deputetët miratuan sot në parim me 8 vota pro dhe 3 kundër projektligjin e paraqitur nga MMSR, ndërsa ka rrëzuar si në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias variantin e ardhur nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.Zëvendësministrja e MSR-së, Gentjana Sula bëri një prezantim të shkurtër të projektligjit, duke theksuar se ai është hartuar duke u bazuar në eksperiencën më të mirë gjermane të hapjes së dosjeve të STASI-t.Ajo theksoi se varianti, para se të kalonte për miratim në qeveri, i është dërguar për mendim shoqatave të ndryshme dhe organizatave të specializuara ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë.Javën e shkuar ai u miratua në parim edhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë.Projektligji i qeverisë synon dhënien e aksesit në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit.Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish-Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit.