Rama: Brenda 3 viteve dixhitalizim të gjimnazeve, sfidë trajnimi i mësuesve

Brenda një harku kohor tre vjeçar, të gjitha gjimnazet e vendit do kalojnë në fazën e re të dixhitalizimit.Kryeministri, Edi Rama, në fjalën e tij gjatë prezantimit nga MAS të projektit të dixhitalizimit të shkollave me tablet, tha se sfidë e madhe mbetet trajnimi i mësuesve.“Të gjitha gjimnazet e vendit tonë do kalojnë nga faza ku gjenden sot në këtë fazë të re, ku sot u prezantuam me të gjitha risitë dhe sfidat. Sigurisht që nuk është e lehtë dhe këtu ka një problem kryesor që për herë të parë nuk janë nxënësit halli, por mësuesit. Sepse nxënësit e kanë shumë më të thjeshtë që ta thithin të gjithë botën e teknologjisë së re, ndërkohë që mësuesit e kanë më të vështirë.Ky është një projekt teknologjik, por që pa asnjë lloj dyshimi do të ketë një impakt shumë të madh në lidhjet njerëzore mes të gjithë atyre që e bëjnë të jetojë sistemin e arsimit. Jemi në kushtet e një transformimi të pandodhur më parë përmes të cilit pa asnjë dyshim do të kemi mundësi të shohim më tutje dhe të sjellim transformime që sot mbase as nuk mund ti imagjinojmë”.Në vijim të fjalës së tij, Rama nënvizoi se janë 60 shkolla, rreth 47 mijë nxënës dhe mbi 2 mijë mësues të përfshirë në projektin e dixhitalizimit.