Kuvendi "Ok" ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, PDIU bashkon votat me PS-LSI
Ndryshimet në Kodin zgjedhor kanë marrë 87 vota pro pas një seance maratonë në Kuvend që nisi paraditen e 2 prillit dhe përfundoi mbrëmë vonë. Votave të mazhorancës iu bashkuan edhe ato të PDIU. Parlamenti miratoi edhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore.Pas një seance maratonë prej 12 orësh debati dhe diskutimi, Kuvendi miratoi rreth orës 22:10 projektligjet e përfshira në rendin e ditës.Kështu, me 86 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim , Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, që synojnë përshtatjen e tij me ndarjen e re territoriale me 61 bashki.Në këtë mënyrë edhe pas ikjes së dy deputetëve të maxhorancë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, të cilët janë në ndjekje penale në gjëndje arresti shtëpie maxhoranca arriti të ketë shumicën e cilësuar. Shpetim Idrizi, Aqif Rakipi dhe Omer Mamo të PDIU-së kanë bashkuar votat pak ditë pasi Idrizi zhvilloi takim me Edi Ramën dhe u ra dakord përfshirja e PDIU-së në bashkëqeverisje. Projektligji, që u kundërshtua nga opozita, parashikon heqjen e termit ‘komunë’ dhe ‘këshill komune’, ndërsa e përcakton si parim detyrues konsultimin midis organeve të qeverisjes vendore dhe institucioneve qëndrore për çdo projekt.Në votimin në tërësi ndryshimet në Kodin Zgjedhor morën 87 vota pro dhe 20 kundër të opozitës. Objekt i ndërhyrjeve në ligjin zgjedhor është përshtatja e tij me ndarjen e re territoriale dhe rritja e pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore. Për këtë pr/ligj deputetet gra si të maxhorancës dhe opozitës i bashkuan votat.Ndërkaq me 83 vota pro, 22 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi Merita Bejtjan Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë.Po ashtu deputetët miratuan me 86 vota pro dhe 20 kundër dhe një ndryshim në Kodin Doganor, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe BERZH-t për strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri.