Programi bërthamor i Iranit, arrihet marrëveshje paraprake mes palëve

Pas tetë ditësh bisedime maratonë, Irani dhe superfuqitë e botës arritën një marrëveshje paraprake sipas të cilës programi bërthamor i Republikës Islamike do të frenohet për të paktën një dekadë.Sipas marrëveshjes, Irani duhet të ndërpresë punën në më shumë se dy të tretat e centrifugave të prodhimit të uraniumit në centralet bërthamore, të nxjerrë jashtë punë një reaktor bërthamor për prodhimin e plutoniumit dhe të pranojë kontroll ndërkombëtar.Nga Uashingtoni, Presidenti amerikan Barak Obama, përshëndeti punën e bërë nga palët dhe e krahasoi me marrëveshjen e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë."Sot, Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë, arritën një mirëkuptim historik me Iranin, i cili nëse vihet plotësisht në zbatim, nuk do ta lejojë Iranin të ndërtojë bombën bërthamore dhe do ta bëjë botën më të sigurtë".Shefja e Bashkimit Europian për politikat e jashtme, Federika Mogerini, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm iranian, Xhavad Zarif, bëri të ditur se palët do të ndërprisnin sanksionet e vendosura nga Irani paralelisht me kontrollin ndërkombëtar që do të bëhej në terren.Ndërsa Ministri i Jashtëm francez, u duk më pak optimist kur tha se kishte ende shumë punë për të bërë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, për të cilën, Irani, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina, kanë lënë afat deri më 30 qershor të këtij viti.