Zaptimi i parkimeve, policia rrugore aksion te "Selman Stermasi"

Policia rrugore ka nisur një aksion në zonën pranë Stadiumit "Selman Stermasi", për lirimin e parkimeve publike nga makinat në shitje dhe të braktisura në kryeqytet.Sipas Shefit të komisariatit të policisë rrugore në Tiranë, Besmir Qibini, çdo mjet që qendron më shumë se 15 ditë në këto hapësira do të largohet me karrotrec.Besmir Qibini: “ Nga komisarati i qarkullimit rrugor në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e qarkut Tiranë ka ndërmarrë këtë plan veprimi për lirimin e hapësirave rrugore publike që janë zënë prej vitesh nga mjete të braktisura, që janë duke u tregtuar si dhe mjete që kanë prej kohësh të parkuara”.Nga ana tjetër Qibini shton se urdhri për lirimin e hapësirave publike kërkon edhe bashkëpunimin e pushtetit vendor.Besmir Qibini: “Telegrami u është dërguar Bashkive, normalisht duhet të kishin vepruar. Ata janë të mirëpritur ti bashkangjiten këtij aksioni dhe të vazhdojnë sëbashku me ne, ta bashkërendojmë punën për lirimin e hapësirave, të cilat janë në funksion të drejtuesve të mjeteve dhe lëvizjen normale të qarkullimit rrugor”.Aksioni për lirimit e hapësirave publike do të shtrihet edhe në zona te tjera të kryeqytetit dhe makinat e bllokuara do të kontrollohen për dokumentacionin si edhe për mospagim të taksave vjetore.