Miliarderi kinez me 14 mld $ pasuri premton investime në Shqipëri

E renditur në vendin e 166-të nga revista “Fourtune” për vitin 2014, si një ndër kompanitë gjigande në botë, me të ardhura vjetore që kapin shifrën e 60 miliard dollarëve, "China Pacific Construction Group”, i kthen sytë nga Europa, ku stacioni saj i parë është Shqipëria.Ndonëse është njeriu i shtatë më i pasur në Kinë, Yan Jiehe, kreu i kësaj kompanie shfaqet shumë miqësor me mediat.Nuk nguron të na rrëfejë përmes një interviste sesi i është dukur kryeqyteti në këtë vizitë të tij të parë, dëshirën për të investuar në Shqipëri në sektorin e infrastrukturës, ku projekti primar për të mbetet Korridori i tetë.“Përshtypjet e para për Shqipërinë janë shumë të mira. Është hera e parë që unë vij këtu dhe më ka lënë shumë mbresa. Arsyeja që më shtyu të investoja këtu është fakti që vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira politike dhe është koha për të ecur në një stad më të lartë në atë të ndërtimit të marrëdhënieve financiare dhe për këtë jemi këtu. Kompania jonë operon në dy aspekte, së pari janë ndërtimet në infrastrukturë dhe së dyti është vizioni ynë për të ndërtuar një qytet të zgjuar”.Por me çfarë klime biznesi i mirëpret tregu shqiptar investitorët e huaj dhe si mund t'i vijë në ndihmë këtyre sipërmarjeve të mëdha shteti shqiptar. Yan Jiehe, e ka një përgjigje:“Ne jemi duke planifikuar disa projekte që përfshijnë Shqipërinë dhe gjithën rajonin. Momentalisht kemi një projekt për korridorin 8 dhe mundësitë për të investuar aty”.55-vjeçari Yan Jiehe, i cilësuar si një nga sipërmarrësit më të fuqishëm në botën e infrastrukturës dhe investimeve me një pasuri prej 14.2 miliardë dollarë, do të rikthehet sërish në Shqipëri."China Pacific Construction Group" është kompania më e madhe në sektorin e investimit privat e fokusuar në urbanizmin e qendrave të banuara, qyteteve dhe shteteve të ndryshme.Investimi i tyre konsiston në ndërtimin e autostradave, rrugëve, urave etj.Në Shqipëri, Korridori i tetë shihet me prioritet për ta, duke qenë se është një aks komunikacioni nga Shqipëria përmes Maqedonisë për në Bullgari.