Kameron i mbijeton debatit të parë televiziv para zgjedhjeve

Devid Kameron arriti t'i mbijetonte intervistës së parë televizive para zgjedhjeve të përgjithshme të majit, me prezantuesin e famshëm britanik Xheremi Paksman, edhe pse u vu në pozitë të vështirë disa herë në lidhje me miqtë e tij pasanikë, planet për shkurtimet në ndihmën sociale dhe kritikat ndaj kontratave fleksibël të punës aq shumë të përhapura në Britani pas krizës.Megjithatë, pasi ai dhe lideri opozitar i laburistëve, Ed Miliband, u përballën me Paksmanin, kryeministri në detyrë doli disi më i favorizuar nga sondazhet, pasi 54% e të anketuarve mendonin se Kameron kishte dalë më mirë në intervistë se sa Miliband.Emigracioni dhe e ardhmja europiane e Britanisë ishin gjithashtu tema të forta debatesh mes kryeministrit dhe Paksmanit, i cili e akuzoi kryeministrin se kishte shkelur premtimin."Ju i keni bërë një premtim ndaj popullit britanik se do ta ulni nivelin e emigracionit në shifrat e fillim viteve '90. Por nuk e keni bërë këtë", pyeti Paksman."Nuk e kemi realizuar këtë premtim, e pranoj plotësisht", u përgjigj Kameron, i cili përgjatë intervistës pranoi disa herë problemet e qeverisë së tij, por gjithsesi kërkoi mbështetjen e votuesve për një mandat të dytë, në të cilin do të përfundonte projektin e rindërtimit të ekonomisë britanike.Të dy liderët gjithashtu ndanë me publikun në studiot e Sky News pikëpamjet e tyre mbi pozicionin e Britanisë ndaj Europës.Kameron ka premtuar se do të mbajë një referendum për të vendosur mbi anëtarësimin e vendit, por vetë pranoi se mbështet idenë e një Bashkimi Europian të reformuar. "Njerëzit e shohin se po përpiqet të shndërrohet më shumë në një shtet se sa një organizatë. Po përpiqet të marrë shumë më tepër fuqi dhe mendoj që na duhet një marrëveshje e re me Europën, në të cilën qendrimi ynë është që duam të jemi në Europë për tregti dhe bashkëpunim. E duam tregun e përbashkët që na u premtua disa vjet më parë, por nuk duam të jemi pjesë e një bashkimi gjithnjë e më të madh", u shpreh Kameron."Mendoj se largimi nga Bashkimi Europian do të ishte shkatërrimtar për vendin tonë, sepse na nevojiten vendet e tyre të punës dhe tregtia brenda unionit. Mendoj se strategjikisht Britania duhet të shohë përtej kufijve të saj, qoftë për luftën kundër terrorizmit, qoftë për ndryshimet klimaterike, apo për shumë çështje të tjera", u shpreh Miliband.Si djali i një intelektuali marksist belg, me origjinë polake, Miliband, i shpallur lider i laburistëve në vitin 2010, pritet ta ketë të vështirë të rrëzojë konservatorin Kameron nga pushteti, edhe pse qëndrimet e tij kundër luftës në Siri në vitin 2013 dhe kritikat ndaj ish-qeverive laburiste të Toni Bler dhe Gordon Braunit kanë rritur popullaritetin e tij.