CEO i Apple do të falë 800 milionë dollarët e tij
Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Kuk, ka vendosur që të falë pasurinë e tij prej 800 milionë dollarësh para se të vdesë. Në një intervistë për revistën "Fortune", 54-vjeçari pranoi me sinqeritet se do ta jepte për bamirësi pasurinë e tij pasi të kishte siguruar arsimimin e nipit 10-vjeçar.Sipas revistës, Kuk zotëron aksione në kompaninë që drejton me vlerë 120 milionë dollarë, si dhe aksione në disa kompani të tjera, me vlerë 665 milionë dollarë. Prej vitesh, drejtuesi që vetëm pak muaj më parë pranoi publikisht se është homoseksual, ka qenë mbështetës i disa nismave, si gjetja e një kure ndaj SIDA-s dhe lufta ndaj ndryshimeve klimaterike dhe barazia gjinore.Prej disa kohësh ai ka nisur të bëjë donacione larg syrit të mediave dhe ka vendosur që të merret seriozisht me filantropinë, jo vetëm duke lëshuar çeqe. Në vitin 2012 ai dhuroi 50 milionë dollarë për një spital pranë selisë qendrore të Apple në Kaliforni , si dhe 50 milionë të tjera ndaj një shoqate bamirëse që merret me luftën kundër SIDA-s, tuberkulozit dhe malarjes.Kuk po ndjek në këtë mënyrë nismën e ndërmarrë në vitin 2010 nga Uorren Bufet dhe Bill Gejts, të cilët i bënë thirrje miliarderëve të botës që të jepnin për bamirësi të paktën 50 % të pasurisë së tyre. Deri tani me këtë nismë janë bashkuar ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, themeluesi i Facebook, Mark Zukerberg dhe themeluesi i eBay, Pier Omidjar.